I pari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me pesë ish-zyrtarët e kësaj komune do të dalin para kolegjit të Gjykatës së Apelit sot.
Që të gjithë këta akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Seanca pritet të nisë në ora 10:00, në objektin B të Pallatit të Drejtësisë. Ndërsa, kolegji përbëhet nga dy gjyqtarë vendorë dhe një gjyqtar ndërkombëtar i EULEX-it.
Ndryshe, ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë, Prokuroria e Shtetit në muajin shkurt të vitit 2013 kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në muajin mars të po atij viti u mbajt shqyrtimi fillestar, ndërsa shqyrtimi kryesor filloi në gusht të vitit 2013 dhe pas 29 seancave gjyqësore të mbajtura, me 13 mars 2014, trupi gjykues shpalli aktgjykim me të cilin i gjeti fajtorë dhe i dënoi me dënime me kusht të gjithë të akuzuarit.
Gjykata Themelore në Prizren pati dënuar Ramadan Mujën me 2 vite burgim me kusht që i njëjti të mos kryej asnjë vepër penale për një periudhë 3 vjeçare, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, mirëpo, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme e pati rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit ndaj Mujës dhe të tjerëve, duke marrë vendim që ky rast të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.
Supremja, kishte vendosur që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues./ Arbresh.info/
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...
Incidenti në Kuvendin e Serbisë, Kamberi: Motoja “Duar...
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e V...
“Ai është një i papenduar” – për kë po diskutojnë Rovena dhe...
Xheneta – Lelës: Anisa u ka treguar Edit dhe Drilonit për rr...
Kurti pret në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së