Sot pritet koalicioni LDK-VV për Vushtrrinë

13:15 | 3 Nëntor 2017
Arbresh.info

Një takim i përbashkët pritet të ndodh sot mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur bashkëpunim të mundshëm për zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit.

Deputetja e VV-së, Aida Dërguti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shumë shpejt do të qartësohet bashkëpunimi sa i përket koalicionit për balotazh me LDK-në në Vushtrri. Ajo tha se takime mes LDK-së dhe VV-së do të ketë në vazhdimësi për çështjen e koalicionit lidhur me balotazhin në Vushtrri.

Ajo tha se vendimi brenda VV-së për koalicionin e mundshëm me LDK-në do ta marr Këshilli Qendror i partisë.

“Po bisedohet me LDK-në. Ne do të kemi një takim të përbashkët dhe më pas do të dalim me një konferencë të përbashkët në orën 15:00”, ka thënë Dërguti.

Ndërsa kandidati i LDK-së për kryetar komune në Vushtrri, Xhafer Tahiri për Telegrafin tha se ende nuk do të dihet se çdo të ndodh në takimin që do ta mbajnë në orën 14:00 me VV-në.

Ai tha se kërkojnë ndryshim në Vushtrri e jo pushtet.

“Nuk kam koment. Çdo informacion do të bëhet publik me kohë. Të shohim se çdo të ndodh, pasi në orën 14:00 do ta fillojmë takimin me VV. Ne do të bisedojmë për të parë ndryshim në Vushtrri, e jo të marrim pushtet. Në Vushtrri ekziston një entuziazëm i madh tek qytetarët për ndryshim”, theksoi Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme