Sot, Presidenti dekreton gjyqtarët dhe prokurorët serb

08:46 | 24 Tetor 2017
arbresh.info

Sot, do të bëhet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb, i cili ka dështuar të bëhet gjatë javës së kaluar.

Këtë e ka konfirmuar për arbresh.info, Ardian Arifaj,  këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi, derisa ka shtuar se ngjarja është e mbyllur për medie.

“Por, lëshojmë komunikatë më vonë,” është shprehur Arifaj.

Presidenti do të presë në takim 42 gjyqtarë dhe 14 prokurorë nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit, do të  t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

Me aktin e betimit, bëhet edhe zbatimi i plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Javën e kaluar, zëdhënsja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanqiq, i ka thënë arbresh.info se Presidentët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord më 31 gusht 2017 se integrimi i drejtësisë do të ndodhte më 17 tetor, por shton faktin se kanë pranuar kërkesën për shtyrje nga Beogradi.

Kështu është përgjigjur Kocijanqiq, pasi është pyetur se pse nuk ndodhi implementimi i marrëveshjes, dakordim ky rreth datës, nga palët e dialogut të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe presidentëve të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në takimin e fundit në Bruksel.

“Prishtina ka përmbushur angazhimet e saj në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Drejtësinë. Integrimi i marrëveshjes së drejtësisë është i rëndësishëm për të përmirësuar sundimin e ligjit në tërë Kosovën dhe në veçanti në rajonin e Mitrovicës,” është shprehur Kocijanqiq për arbresh.info.

Bashkimi Evropian pret një angazhim konstruktiv për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura brenda Dialogut të lehtësuar nga BE.

“Është shumë e rëndësishme që integrimi i drejtësisë të ndodhë pa vonesa të mëtejshme,” është shprehur ajo.

Presidenca, pengimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë për dekretim, javën e kaluar, e ka quajtur një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme