Sot në Bruksel takohen grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave

09:04 | 20 Prill 2022
A Z

Grupet Punuese të Kosovës e Serbisë do të takohen sot më 20 prill dhe nesër më 21, për çështjen e targave në Bruksel sot, raporton arbresh.info.

Lajmin për arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano.

“Më 7 prill u mbajt takimi i shtatë i Grupit të Punës për targa. Palët vazhduan të diskutojnë opsionet e identifikuara nga BE. Raundi tjetër i takimeve të Grupit të Punës do të zhvillohet më 20 dhe 21 prill në Bruksel, pak para se mandati i tij të përfundojë më 21 prill”, tha Stano.

Tutje, Stano tha se, BE tashmë ka bërë punën e saj dhe u mbetet dy delegacioneve të dakordohen në lidhje me këtë çështje.

“BE-ja ka ndihmuar të dy delegacionet në identifikimin e zgjidhjeve, por është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje. Ne presim që ata të bëjnë përparim deri më 21 prill”, deklaroi Stano.

Po ashtu, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, bëri të ditur se është më se urgjente të gjendet gjuha e përbashkët.

“BE-ja dëshiron t’u kujtojë të dyja palëve edhe një herë se tani është urgjente për të gjetur gjuhën e përbashkët. Çdo marrëveshje për targat do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis”, tha Stano.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ditë më parë tha se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritur marrëveshjen përfundimtare për targat vetëm me parimin e reciprocitetit.

“Më datë 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat, parimi i reciprocitetit do të jetë aty si thelb i çfarëdo zgjidhjeje”, ka thënë Kurti.

Pas deklaratave të Kurtit, pati reaguar menjëherë edhe Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Petkoviqit, kryeministri Kurti nuk ka kredibilitet për të folur në lidhje me reciprocitetin, ku e quan edhe kërcenim deklaratën e Kurtit.

“Deklarata e tij nuk është gjë tjetër veçse kërcënim i paralajmëruar paraprakisht”, ka thënë Petkoviq.

Kujtojmë se, kjo marrëveshje i pati dhënë fund bllokadës 12 ditore që serbët kishin bërë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të pakënaqur me reciprocitetin e vendosur nga Qeveria e Kosovës./S.D/arbresh.info/

Pasojat e një mos marrëveshjeje| Çfarë pritet nga takimi Kosovë-Serbi për targat?

Të ngjashme