Google ADS

Sot mblidhet Komuniteti Politik Evropian, pjesëmarrëse edhe Kosova

09:16 | 6 Tetor 2022
A Z

Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, do të marrë pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet sot në Pragë.

Në agjendën që është publikuar në faqen e Këshillit të Bashkimit Evropian, thuhet se temat që do të diskutohen janë paqja dhe siguria, situata ekonomike, energjia dhe klima, si dhe migrimi dhe lëvizshmëria.

Nga Presidenca bën të ditur se, “para liderëve evropianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme