Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot pritet të mbahet konferenca e përgatitore për gjykim në rastin ku ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, po akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka caktuar konferencat përgatitore për gjykimin, në seancë të hapur, nga data 18 deri më 20 tetor 2022 në prani të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe Zyrës Administrative (Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve-ZMMD).
Ndërsa, 21 tetorin e ka caktuar si ditë rezervë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, ky trup gjykues ka vendosur që në të njëjtat data të caktojë një konferencë tjetër përgatitore për gjykimin, e cila do të mbahet ex-parte dhe në seancë të mbyllur, sapo të përfundojnë seancat e hapura.
Kjo konferencë përgatitore për gjykimin, do të mbahet në prani të ZPS-së, ZMMD-së dhe një përfaqësuesi të Zyrës Administrative.
Me anë të vendimit për caktimin e konferencave përgatitore për gjykim, trupi gjykues ka përcaktuar pikat të cilat pritet të diskutohen.
Sipas vendimit, do të kërkohet konfirmim nga ZPS se hetimet e saj dhe zbulimi i provave inkriminuese në këtë rast kanë përfunduar. Po ashtu, do të kërkohet informatë nëse ZPS synon t’i zbulojë mbrojtjes prova të mëtejshme shfajësuese sipas Rregullit 103 të Rregullave ose materiale ose prova të tjera sipas Rregullës 102 (3) të Rregullave – që nuk i nënshtrohen kërkesës në pritje – dhe, nëse po, sa artikuj dhe kur; përveç kësaj, a ka ndërmend ZPS të kërkojë masa mbrojtëse për këtë material apo provë dhe nëse po, kur.
Tutje, do të kërkohet të dihet nëse në këtë fazë, mbrojtja tashmë mund të parashikojë kryerjen e hetimeve të mëtejshme dhe përafërsisht sa kohë do t’i duhet për të finalizuar aktivitete të tilla hetimore.
“Nëse, në këtë fazë, si rezultat i këtyre aktiviteteve hetimore, mbrojtja tashmë mund të parashikojë zbulimin e provave shtesë dhe ndryshimin e Dosjes së saj Paraprake/ose Listës së Mbrojtjes së Dëshmitarëve të Mundshëm; Nëse mbrojtja kërkon një seancë ex parte, të mbyllur në të ardhmen e afërt me qëllim që t’i drejtohet Panelit për çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjen e tij për gjykim dhe, nëse po, cilat janë çështjet në fjalë; Parashtresat nga Palët për miratimin e një kuadri që rregullon trajtimin e informacionit konfidencial gjatë hetimeve dhe kontakteve me dëshmitarët, duke marrë parasysh kornizën e miratuar në çështjen KSC-BC-2020-06”, janë çështjet tjera që do të diskutohen.
Po ashtu, do të diskutohet lidhur me parashtresat nga palët dhe mbrojtja e viktimave mbi domosdoshmërinë e një vizite në vendin e krimit për administrimin e duhur të drejtësisë, siç parashikohet në Rregullën 74 të Rregullave dhe kohën e një vizite të tillë.
Gjithashtu, do të kërkohet informacion nëse palët janë në gjendje të paraqesin në prova video, rindërtime 3D, harta dhe/ose foto të vendit të krimit.
Gjatë konferencës, do të dëgjohen parashtresat nga palët dhe mbrojtësi i viktimave për një datë tentative për fillimin e gjykimit.
Ndërsa, do të kërkohet informata nëse i akuzuari kundërshton që ZPS-ja të lexojë një përmbledhje të aktakuzës së konfirmuar të korrigjuar në hapje të rastit, në vend të aktakuzës në tërësi, me qëllim të promovimit të efikasitetit.
“Nëse ZPS synon të bëjë një deklaratë hapëse në përputhje me Rregullën 126 (1) të Rregullores dhe, nëse po: (i) sa kohë do të kërkojë; dhe (ii) a do të përdoren mjete ndihmëse vizuale ose mjete të tjera. Nëse avokati i viktimave synon të bëjë një deklaratë hyrëse në përputhje me Rregullin 126 (3) të Rregullave dhe, nëse po: (i) sa kohë do t’i kërkojë; dhe (ii) a do të përdoren mjete ndihmëse vizuale ose mjete të tjera; Nëse, në këtë fazë, mbrojtja tashmë mund të parashikojë nëse do të bëjë një deklaratë hyrëse në përputhje me Rregullën 126 (2) të Rregullores dhe, nëse po: (i) a do të jepet kjo deklaratë hyrëse direkt pas deklaratave hapëse të ZPS-së dhe avokatit të viktimave, nëse ka, ose pas mbylljes së rastit të ZPS-së dhe para hapjes së rastit të mbrojtjes; (ii) sa kohë do të kërkojë mbrojtja; dhe (iii) a do të përdoren mjete ndihmëse vizuale ose mjete të tjera”, janë pikat tjera të rendit të ditës.
Tutje, do të kërkohet që paneli të informohet nëse në këtë fazë, mbrojtja tashmë mund të tregojë nëse i akuzuari synon të bëjë një deklaratë të pabetuar në përputhje me Rregullën 14 (1) të Rregullave dhe nëse po, nëse kjo do të bëhet së bashku me deklaratën hyrëse të mbrojtjes ose më vonë.
Gjithashtu, është bërë e ditur se paneli synon të nxjerrë udhëzime për njohjen e dëshmitarëve para dhënies së dëshmisë në kohën e duhur. Palët, avokati i viktimave dhe Regjistri / Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmimtarëve (ZPMMD), thuhet se mund të bëjnë parashtresa për këtë çështje, nëse dëshirojnë, duke marrë parasysh praktikën e mëparshme të Panelit.
“Nëse ZPS dhe avokati i viktimave kanë shkëmbyer informacione për të identifikuar se cilat viktima pjesëmarrëse janë gjithashtu dëshmitarë të ZPS-së dhe anasjelltas dhe nëse jo, nëse ata planifikojnë ta bëjnë këtë ose kanë kundërshtime për ndonjë komunikim të tillë ose zbulim informacioni, duke përfshirë ZPMMD. Konfirmimi nga ZPS për numrin e dëshmitarëve që synon të thërrasë, konfirmimi se Lista e Dëshmitarëve të ZPS-së dhe Lista e Provave të ZPS-së janë përfundimtare, sa është koha e kërkuar për marrjen në pyetje të drejtpërdrejtë të atyre dëshmitarëve dhe nëse ZPS-ja ka ndërmend të thërrasë ekspertët”, janë pikat tjera që do diskutohen.
Po ashtu, do të kërkohet informata nëse ZPS synon të kërkojë pranimin e deklaratave ose transkripteve të mëparshme në vend të dëshmisë gojore sipas Rregullave 153-155 të Rregullave, përveç siç është treguar tashmë në Listën e Dëshmitarëve të ZPS-së, sipas cilës dispozitë specifike, në lidhje me cilët dëshmitarë dhe sa artikuj janë në fjalë.
Vendimi thotë se në parim, i takon secilës palë të përcaktojë organizimin dhe paraqitjen e provave të rastit të saj, dhe se Paneli rikujton se Rregullat 153 dhe 154 janë mjete të dobishme për të përshpejtuar dhe thjeshtuar procedurat dhe inkurajon fuqimisht ZPS-në që të mbështetet në rregullat në fjalë për masën më të madhe të mundshme.
“Nëse, në këtë fazë dhe në varësi të Rregullit 114 (5) të Rregullave, avokati i viktimave tashmë mund të tregojë nëse ai synon të paraqesë prova, të thërrasë dëshmitarët (ekspertë) dhe/ose viktimat pjesëmarrëse për të dëshmuar, ose të kërkojë që viktimave t’iu lejohet të paraqesin pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre ku preken interesat e tyre personale; dhe, nëse po, sa është koha e kërkuar për marrjen në pyetje të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve/viktimave të përmendura ose për paraqitjen e pikëpamjeve dhe shqetësimeve të tyre”, thuhet në vendim.
Paneli thuhet se gjithashtu fton avokatin e viktimave që të shqyrtojë mbështetjen në Rregullat 153 dhe 154 nëse ai synon të thërrasë dëshmitarë. Sipas vendimit, kjo është pa paragjykim ndaj çdo ndryshimi të mëtejshëm që duhet të komunikohet mjaftueshëm përpara përfundimit të çështjes së ZPS-së.
“Nëse, në këtë fazë, mbrojtja mund të tregojë, në përputhje me Rregullën 119 të Rregullores, nëse ajo synon të paraqesë një çështje, nëse Lista e Mbrojtjes e Dëshmitarëve të Mundshëm është përfundimtare, nëse mbrojtja mund të tregojë numrin e dëshmitarëve që synon të thërrasë, nëse ka ndërmend të thërrasë ekspertët dhe sa është koha e kërkuar për marrjen në pyetje të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve. Kjo nuk paragjykon çdo ndryshim të mëtejshëm që duhet të komunikohet mjaftueshëm përpara paraqitjes së çështjes së mbrojtjes, nëse ka”, është pika tjetër e rendit të ditës.
Po ashtu, thuhet se duke marrë parasysh Rregullin 104 (3) të Rregullores, do të kërkohet të dihet nëse mbrojtja synon të ofrojë një mbrojtje të alibisë dhe nëse mbrojtja synon të kërkojë pranimin e deklaratave ose transkripteve të mëparshme në vend të dëshmisë gojore sipas Rregullave 153-155 të Rregullave dhe nëse po, sipas cilës dispozitë specifike, në lidhje me cilët dëshmitarë dhe sa çështje bëhet fjalë. Paneli thuhet se përsërit udhëzimet e tij të mëparshme në lidhje me Rregullat 153 dhe 154 të Rregullave dhe inkurajon fuqimisht mbrojtjen që të konsiderojë të mbështetet në rregullat e përmendura në masën më të madhe të mundshme.
“Parashtresat e ZPS-së në lidhje me radhën në të cilën ajo synon të thërrasë dëshmitarët e përfshirë në listën e dëshmitarëve të ZPS-së dhe modalitetet e dëshmive të dëshmitarëve (live ose video-lidhje)”, thuhet tutje.
Ndërkaq, thuhet se do të diskutohet nëse në këtë fazë dhe duke iu nënshtruar Rregullës 114 (5) të Rregullave, avokati i viktimave tashmë mund të tregojë rendin në të cilin ai synon të thërrasë dëshmitarët (ekspertë) dhe/ose viktimat pjesëmarrëse për të dëshmuar ose për të paraqitur pikëpamjet e tyre dhe shqetësimet, nëse ka, dhe modalitetet e dëshmisë/prezantimit të pikëpamjeve dhe shqetësimeve (live ose video-lidhje).
Vendimi thotë se kjo është pa paragjykim ndaj çdo ndryshimi të mëtejshëm që duhet të komunikohet mjaftueshëm përpara përfundimit të çështjes së ZPS-së.
Po ashtu, do të diskutohet nëse në këtë fazë, mbrojtja tashmë mund të tregojë rendin me të cilin synon të thërrasë dëshmitarët e përfshirë në listën e mbrojtjes së dëshmitarëve të mundshëm dhe modalitetet e dëshmive të dëshmitarëve (live ose video-lidhje), pa paragjykuar ndonjë tjetër ndryshimet duhet të komunikohen mjaftueshëm përpara paraqitjes së çështjes së mbrojtjes.
“Nëse ZPS synon të kundërshtojë pranueshmërinë e ndonjë prove jo gojore sipas Rregullës 104 të Rregullores dhe nëse po, cila është natyra e kundërshtimeve. Konfirmimi se mbrojtja synon të kundërshtojë pranueshmërinë e provave jo-gojore të zbuluara sipas Rregullit 102 të Rregullave dhe cila është natyra e kundërshtimeve. Nëse avokati i viktimave synon të kundërshtojë pranueshmërinë e provave jo gojore sipas Rregullave 102 ose 104 të Rregullave dhe, nëse po, cila është natyra e kundërshtimeve”, janë pikat tjera që do diskutohen.
Po ashtu, thuhet se do të diskutohet rreth asaj nëse palët synojnë të kërkojnë, së bashku ose veçmas, që paneli të marrë njoftimin gjyqësor për faktet e gjykuara sipas Rregullës 157 (2) të Rregullave dhe nëse po, kur synojnë të bëjnë këto kërkesa dhe për sa fakte.
“Përveç temave të mësipërme, Paneli e konsideron të përshtatshme që të mbajë një seancë ex parte, të mbyllur me ZPS, ZPMMD dhe një përfaqësues të Sekretarisë, për të diskutuar disa çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e dëshmitarëve”, thuhet në vendim.
Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...