Sot shënohet 20-vjetori i rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit, dhe eprorëve të lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.
OVL e UÇK-së në Dukagjin organizon homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, si dhe te shtatorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë.Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.
Rënia e Shkëlzenit që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.
Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptar, deri sa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë.