Sot shënohen 14 vjet nga Lumturimi i Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistja shqiptare fituese e Çmimit Nobel për Paqen.
Humanistja me shtat të vogël, por me zemër të madhe do bënte që mbarë bota të njihte shpirtin e saj të madh. Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua në 19 tetor të 2003-it nga Papa Gjon Pali i Dytë, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfëritë e të varfërve”, të cilëve ajo u kushtoi krejt jetën.
Papa Gjon Pali II, i cili e adhuronte murgeshën shtatvogël shqiptare, e cila vdiq në shtator 1997 në moshën 87 vjeçare, shprehu dëshirën për ta shenjtëruar besimtaren, dhe arriti deri në etapën e parafundit, lumturimin. Pikërisht kjo ditë është shpallur festë kombëtare nga shteti shqiptar. Jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës.
Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një qytet shqiptar, nga një familje shqiptare. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, ajo mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysmë e u krezmua në nëntor të vitit 1916.
Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare. Në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin “Motrat e Loretos”, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi.
Në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: “Vashë e Jezusit” për “amshim”. Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza.
Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ, ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim.
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”. Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor, shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi.
E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t’i gjetur dhe për t’u shërbyer atyre që janë: “të braktisur, të padashur, të papërkujdesur”. Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj.
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë.Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.
Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshtte. Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tre letra.
Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Kur i thane për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nenën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do te jem vetë aty”.
Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti.
Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave.
Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë.
Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besimeve të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme.
Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit “Eja, të jesh drita ime!”, u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.
Ati i Shenjt Gjon Pali i Dytë, pas shqyrtimit të mbi pesëmijë faqe dëshmish mbi jetën, veprën dhe mrekullitë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, vendosi që më 13 tetor 2002, në Bazilikën e Shën Pjetrit ta shpall shenjtëreshë këtë bijë shqiptare, të cilën mbarë bota e njohu dhe e quajti Nënë.
Në Shqipëri, viti 2003 u shpall nga qeveria shqiptare si viti i Nënë Terezës, vit kur të gjithë do të mendojnë rreth faljes, ngushëllimit e mirëkuptimit, kur të gjithë do të përcjellin mesazhin e Nënë Terezës, të mendojnë, të bëjnë më shumë për ata që kanë nevoje për zgjatjen e një dore. Tashmë 19 nëntori simbolizon ditën për më shume lutje, besim e dashuri. Kjo datë është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...