Evropianët nuk po kanë konsiderata për deklaratat e zyrtarëve të lartë të Kosovës, sipas të cilëve Brukseli po tregohet i padrejtë me kosovarët. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, slloveni Igor Soltes, thotë se Kosova duhet të heqë dorë nga fajësimi i Bashkimit Evropian për punët që nuk i ka kryer vetë. Ai thotë se autoritetet kosovare nuk mund ta kushtëzojnë dialogun me Serbinë me liberalizimin e vizave, pasi këto janë të ndara. Kur është fjala për bisedimet, Soltes ka fjalë të mira për Serbinë.
Zv. kryeministri Enver Hoxhaj, pas një vizite në Strasburg, tha se ua kishte bërë me dije eurodeputetëve se nëse Kosovës s’i liberalizohen vizat, atëherë dialogu me Serbinë nuk do të kishte kuptim. Ky u pa si një kusht që po i vihet Bashkimit Evropian nga autoritetet kosovare.
Gazeta Express iu drejtua Qeverisë së Kosovës për të kuptuar nëse liberalizimi i vizave tashmë është bërë kusht për vazhdimësinë e dialogut, ashtu siç la të kuptohej zëvendëskryeministri.
Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit, ka thënë se megjithatë ajo çfarë ka deklaruar Hoxhaj në Strasburg nuk ishte kusht, po vetëm shqetësim që ka Kosova.
“Të gjitha modalitetet janë në tavolinë. Qëndrimi i zëvendëskryeministrit shpreh shqetësimin e Kosovës për një proces të pabarartë dhe të padrejtë”, ka thënë Arifi.
Derisa në institucione po flitet me të madhe për padrejtësitë që po ia bën Bashkimi Evropian Kosovës, nga Brukseli thonë se akuzat që vijnë nga Kosova në fakt janë të padrejta.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, thotë se nuk është e drejtë që autoritetet kosovare ta drejtojnë gishtin nga Bashkimi Evropian, për punët që vetë nuk i kanë kryer.
“Është e padrejtë që të fajësohet Bashkimi Evropian për diçka që ka për obligim të bëjë Kosova, në këtë rast ratifikimi i Demarkacionit”, ka thënë Soltes për Gazetën Express.
Ai thotë se çështja e liberalizimit të vizave është e ndarë nga ajo e dialogut mes Kosovës e Serbisë, e për liberalizim, Kosova duhet të plotësojë kushtet tanimë të ditura.
“Do të doja të nënvizoja që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është çështje e ndarë nga liberalizimi i vizave. Që Kosova të ketë liberalizim të vizave, duhet të përmbushë obligimet që ajo ka dhe që janë ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit dhe luftimi i korrupsionit”, ka thënë Soltes.
Ai ka folur për vazhdimësinë e dialogut, duke thënë se përderisa Kosova po fokusohet në çështje të tjera, Serbia po ndjek rrugën e duhur për normalizim të raporteve.
Slloveni, që ka marrë detyrën e Raportuesit për Kosovën, pasi Ulrike Lunacek, dështoi në zgjedhje, është më shumë i kënaqur me mënyrën se si Serbia po i qaset normalizimit të raporteve sesa Kosova, zyrtarët e së cilës akuzojnë Bashkimin Evropian se po e lë Kosovën anash dhe nuk po e shpërblen që deri më tash i është bindur faktorit ndërkombëtar.
“Unë besoj se vazhdimi i dialogut është në interes të Kosovës dhe të Serbisë dhe çfarë kam lexuar në media, Serbia dje lajmëroi Komisionin Evropian se është e gatshme ta vazhdojë normalizimin e raporteve me Kosovën, që është një shenjë e mirë dhe një hap i duhur”, ka thënë Soltes.
Sipas tij, Komisioni Evropian duhet të vërë mekanizma që monitorojnë dy palët, atë kosovare dhe serbe, që të matin se kush zbaton marrëveshjet e nënshkruara, e kush jo./Gaazeta Express/
Moti nesër: Diell dhe vranësira, temperaturat lëvizin nga -5...
Çaji që duhet të konsumoni për uljen e tensionit të lartë
Aksident me vdekje në aksin Gjirokastër-Tepelenë
SHBA ekspozojnë planin iranian për vrasjen e Donald Trump-it
Presidenti palestinez bisedë telefonike me Trump
Simptomat e demencës përkeqësohen ndjeshëm në këtë pjesë të ...