Sociologët flasin për rënien e votuesve ndër vite

08:03 | 29 Shtator 2019
Arbresh.info

Premtimet e përsëritura dhe mos realizmi i tyre ka bërë që pjesëmarrja e elektoratit të bie në çdo zgjedhje.

Të paktën kështu vlerësojnë edhe ekspertet e sociologjisë, të cilët thonë se në pjesëmarrjen e numrit të vogël të qytetarëve në zgjedhje ndikojnë edhe një varg faktorësh socio-psikologjik.

Sipas sociologut Shaip Hasani, ka shumë raste kur qytetarët hezitojnë të dalin në zgjedhje, pasi që nga partitë politike nuk u është krijuar asnjë motiv, as perspektivë për ndryshim.

“Në aspektin psikologjik nuk shihet asnjë frymë pozitive, kur dihet gjëja më e tmerrshme, që ka më shumë listë të votuesve se sa banorë rezident. Të lejohet kjo gjendje në demokraci është turp. Nuk pres ndryshime, gjithçka bëhet për pushtet. Motivimi I qytetarëve për me dal në zgjedhje ka rënë dukshëm, shumë raste kem kur nuk dinë kujt t’i jepet vota. Kosova dhe qytetarët nuk munden me pas motiv e as perspektiv deri sa nuk ndryshon gjendja, deri sa nuk ndryshon klasa politike”, thotë Hasani.

Ndërsa sociologu tjetër, Labinot Konushevci, në një prononcim për arbresh.info thotë se në parametra sociologjikë elektorati ka mundësinë të gjykojë vetë, që të përcaktohen në mënyrë më korrekte për partitë që qeverisin, duke u bazuar në përvojat e mëhershme.

“Motivimi i elektoratit kosovar varet nga formimi dhe evoluimi i vetëdijes së tyre politike. Vetëdija politike varet nga formimi arsimor, intelektual, kulturor, nga niveli emancipues i botëkuptimeve të tyre, nga aftësia e tyre për shkëputje nga mentaliteti provincial, nga njohja reale e programeve dhe platformave të partive politike, etj. Në këto zgjedhje nuk pritet ndonjë mrekulli apo ndryshim i madh i pjesëmarrjes elektorale në zgjedhje, por në parametra sociologjik, elektorati ka mundësi të gjykojë dhe vlerësojë, të përcaktohet në mënyrë më korrekte dhe më meritore, për partinë që do të qeverisë me institucionet dhe buxhetin e Kosovës, bazuar në përvojat e qeverive të mëhershme që bartin përgjegjësi për gjithë këtë mjerim politik, ekonomik e social”,  vlerëson Konushevci.

Ndërsa për hezitimin e qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, Konushevci, fajtor e konsideron, retoriken elektorale të përfaqësuesve politikë.

Sipas tij, pjesëmarrja e vogël e elektoratit në zgjedhje nuk është vetëm rezultat i mosbesimit, por edhe i mungesës së programeve dhe platformave të partive politike.

“Përfaqësuesit e partive politike nuk po arrijnë t’i bindin qytetarët që kanë mosbesim, konfuzione, dilema, që janë të papërcaktuar, sepse nuk po prekin pritshmëritë dhe kërkesat e tyre, dhe kjo sepse premtimet e tyre po bazohen në retorikë elektorale dhe jo në programe konkrete ku u jepen përgjigje pyetjeve thelbësore që kanë të bëjnë me vendimet e institucioneve prej të cilave varet standardi dhe mirëqenia e tyre”, deklaron Konushevci.

Në bazë të dhënave të KQZ -së për zgjedhjet e fundit të vitit 2017, numri i votuesve të regjistruar ishte 1 milion e 888 mijë e 59, me një pjesëmarrje në zgjedhje 779 mijë e 729 votues, ose 41.3%./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme