Gjykata Komerciale e Kosovës, gjegjësisht Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Administrative, e ka aprovuar ankesën e Artmotion Sh.p.k për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), agjenci kjo në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për pezullim të certifikatës së biznesit.
Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet:
“I. Aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësit Artmotion Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”.
“II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4608/01 i datës 01.08.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 346 i datës 22.06.2023 i nxjerrë nga Zëvendës Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës”.
Arsyetimi:
Në arsyetimin e vendimit pro kompanisë Artmotion e kundër MINT-it, Gjykata Komerciale tha se iu referua nenit 22, paragrafit 2 të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (LKA) i cili përcakton se: “Me kërkesën e paditësit, organi akti i të cilit ekzekutohet gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”.
Po ashtu, Gjykata thotë se në paragrafin 6 përcaktohet se “Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2 të këtij neni” dhe nenit 27 par. 1 të Ligjit 08/L-015 për Gjykatën Komerciale i cili përcakton se “Jo më vonë se tre (3) ditë nga marrja e një kërkese për masë të përkohshme ose lehtësim tjetër urgjent, në përputhje me ligjet në fuqi, dhoma e shkallës së parë e konsideron dhe vendos për një kërkesë të tillë pa dëgjim të palëve në seancë”.
Gjykata Komerciale thotë se “Bazuar në nenin 22 par. 2 të LKA-së, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit duhet të plotësohen në mënyrë kumulative kushtet e përcaktuara: a) ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej; b) shtyrja të mos jetë në kundërshtim me interesin publik; c) shtyrja nuk do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”.
“Gjykata shqyrtoi pretendimet e paditësit të paraqitura në kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese dhe vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar të njëjtën pasi që paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej, si dhe ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar, kushte këto të përcaktuara në nenin 22 par.2 të LKA-së”.
“Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimeve kontestuese paditësit do t’i sillte dëme vështirë të riparueshme pasi që ekzekutimi i vendimit për shfuqizimin e certifikatës së biznesit e lë pa efekt regjistrimin e paditësit si person juridik, i cili regjistrim sipas nenit 4 të Ligjit Nr. 06/L[1]016 për Shoqëritë Tregtare i jep të drejtën për të ushtruar veprimtari ekonomike në Kosovë”.
“Gjykata po ashtu vlerëson se për shkak të shfuqizimit të certifikatës së biznesit edhe regjistrimi i paditësit në ARKB e humb efektin juridik, andaj paditësi nuk mund të ushtrojë as veprimtari tjetër ekonomike për shkak të certifikatës së shfuqizuar. Si rrjedhojë, shfuqizimi i certifikatës së biznesit do të rezultonte në revokimin e Konfirmimit të Njoftimit të lëshuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike sipas Regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm të ARKEP si dhe të licencës nga Komisioni i Pavarur i Mediave për ushtrimin e veprimtarisë për vënien në funksion të operatorit të shpërndarjes (rrjetit kabllor) dhe për shpërndarjen e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale, që paraqet aktivitetin kryesor biznesor të paditësit, e cila do të kishte për pasojë ndërprerjen e marrëdhënies së punës për rreth 250 të punësuar tek paditësi sipas listës së të punësuarve të bashkangjitur me padi si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve tjera kontraktuale me kompani vendore dhe ndërkombëtare, rrethana këto që në rast të ekzekutimit të vendimeve kontestuese paditësit do ti sillnin dëme vështirë të riparueshme”.
“Gjykata gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se sipas Certifikatës së Regjistrimit nr. ser. XXX dhe informatat e biznesit të lëshuara me datë 18.05.2023 dhe me datë 21.06.2023, “Artmotion” Sh.p.k. është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 08.07.2002 fillimisht si Biznes Individual ndërsa me datë 28.02.2017 është ndërruar tipi në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara, me numër unik identifikues XXX me seli në rr. “…”, Zonën Industriale, Prishtinë, në pronësi të AM Invest Group me seli në Zonën Industriale, Prishtinë dhe person të autorizuar V.Sh. me adresë rr. “…, Zona Industriale, Prishtinë, Kosova. Nga shikimi në regjistrin publik për të dhënat e bizneseve rezulton se shoqëria Am Invest Group Sh.p.k. është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me datë 02.02.2017, me numër unik identifikues XXX me seli në Zona Industriale, Prishtinë, në pronësi të AM Invest Group Holding DOOEL dhe person të autorizuar V.Sh.. Sipas Dokumentit nr. 0805-50/155020230063962 i datës 19.06.2023, gjykata konstatoi se shoqëria AM Invest Group Holding DOOEL, është shoqëri tregtare e regjistruar në Maqedoninë e Veriut me datë 23.01.2017, me seli në “Bulevar Partizanski Odredi” nr. 143, Shkup – Karposh, në pronësi të V.Sh., me adresë në rr. …, nr. …., Pejë, Kosovë”.
“Meqenëse në rastin konkret sipas certifikatave të përshkruara më lart dhe verifikimit të regjistrit publik të të dhënave të bizneseve, rezulton se paditësi ka pasur të përfunduara ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë para se i padituri të vendosë për shfuqizimin e certifikatës së biznesit, andaj gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik”.
“Lidhur me plotësimin e kushtit të tretë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese, përkatësisht dëmit që mund t’i shkaktohet palës së paditur me shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese, gjykata vlerëson se nuk ekziston ndonjë rrethanë sipas të cilës të paditurit do t’i shkaktohej ndonjë dëm nga shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese”.
Andaj, Gjykata Komerciale ka konstatuar se “për ta shmangur rrezikun e dëmit që mund të i shkaktohet paditësit në rast të ekzekutimit të vendimeve të lartcekura dhe duke pasur parasysh faktin se shtyrja e ekzekutimit të tyre nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe palës kundërshtare nuk i shkakton ndonjë dëm, gjykata vendosi ta aprovoj kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, sipas padisë së ushtruar nga paditësi”.
Këtë vlerësim gjykata e mbështeti në faktin se “paditësi ka dhënë prova dhe argumente konkrete e të mjaftueshme se bazuar në dispozitat e cekura më lartë, janë përmbushur në mënyrë kumulative kushtet ligjore që të aprovohet kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara derisa gjykata të vendos përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të kontestuara me padinë e paditësi ku do të shqyrtohen të gjitha pretendimet e palëve të paraqitura dhe që do të paraqiten në ardhmen”./kk
Hamza për fjalimin e Osmanit: Marrëdhëniet me SHBA-të duhet ...
Bislimi takoi kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin e Grupit Par...
Majku i propozon të dashurës, ajo thotë “PO”
FSK dhe FARSH realizuan ushtrimin e përbashkët fushor “ Shpë...
Matt Gaetz tërhiqet nga emërimi për postin e prokurorit të p...
Haradinaj: Me kalimin e kohës Kosova po e rrit jo vetëm prod...