Smajl Latifi mbledh drejtorët e shkollave, flasin për fillimin e vitit të ri shkollor

15:47 | 27 Gusht 2020
L G

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbledhur sot drejtorët e shkollave të kësaj komune, ku është diskutuar për fillimin ne vitit të ri shkollor.

Në këtë mbledhje është thënë se procesi mësimor nuk do të fillojë pa u dezinfektuar objektet shkollore.

“Gjatë këtij takimi është biseduar fillimi i vitit të ri shkollor 2020/2021 dhe zbatimi i  masave për mbrojtjen nga pandemia Covid-19. U tha se nuk do të fillojë procesi mësimor pa u bërë dezinfektimi i objekteve shkollore. Po ashtu për 5 shkollat që do të mbahet testi i maturës dezinfektimi do të bëhet gjatë ditës së premte”, thuhet në njoftimin e Komunës së Rahovecit.

“Përgatitjet për mbajtjen e testit të maturës janë bërë me kohë dhe se para mbajtjes së testit, objektet e 5 shkollave ku do të mbahet testi do të dezinfektohen. Kurse për fillimin e vitit të ri shkollor si DKA, në bashkëpunim me institucionet qendrore si dhe Kryetarin e Komunës dhe drejtorët e shkollave i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që të mos ketë pengesa në fillimin e mësimit”, ka thënë drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina.

Kryetari i komunës, Smajl Latifi u ka thënë drejtorëve të shkollave se në asnjë shkollë nuk do të fillojë mësimi pa u bërë dezinfektimi i objektit të shkollës. Si institucione komunale në koordinim me institucionet relevante të nivelit qendror, do të bëjmë me kohë dezinfektimin e secilit objekt të shkollës para fillimit të mësimit në mënyrë që të mos ketë pengesa në fillimin e procesit mësimor.

“Para fillimit të mësimit do të bëhet dezinfektimi i objekteve shkollore, ky është një argument i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Si institucione komunale, jemi të përgatitur që edhe në këto kushte pandemie mësimi të fillojë, jemi të vetëdijshëm se do të kemi vështirësi por duke i zbatuar edhe rekomandimet nga institucionet përgjegjëse besoj që do t’ia arrijmë t’ia dalim me sukses fillimit dhe vazhdimit të vitit shkollor 2020/2021”- ka thënë Latifi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme