Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përmbylljen e Presidencës gjashtëmujore të Sllovenisë në Këshillin e Bashkimit Evropian, ndërsa drejtimi i BE-së për gjashtëmujorin e ardhshëm do t’i dorëzohet Francës.
Por, praktikisht pjesa e punës së Presidencës sllovene tashmë ka përfunduar, pasi në javën e fundit u zhvilluan edhe takimet e fundit të Këshillit, të parapara për këtë vit. Nën udhëheqjen e BE-së nga Sllovenia përmenden disa të arritura, por edhe dështime sa i përket procesit të zgjerimit dhe raporteve të bllokut evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në fillim të Presidencës së saj, Sllovenia kishte vendosur si prioritete procesin e zgjerimit të BE-së dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Diplomatët në Bruksel thonë se përkundër shumë sfidave nëpër të cilat kaloi Presidenca sllovene, ajo arriti një “sukses të pjesshëm” sa i përket qëllimeve të vendosura për procesin e zgjerimit.
Si sukses përmendet mbajta e samitit në Bërdo ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në samitin e Bërdos, që u mbajt në tetor, blloku evropian përsëriti përkushtimin për procesin e zgjerimit.
Mbajtja e konferencës ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Serbisë, po ashtu përmendet si sukses. Në këtë konferencë u hapën negociatat për një bllok kapitujsh. Kjo ishte hera e parë pas më shumë se dy vjetësh që Serbia hapi kapituj të rinj në procesin e bisedimeve të anëtarësimit.
Ndërkaq, në takimin e fundit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, që u mbajt më 14 dhjetor, në momentin e fundit shtetet anëtare arritën pajtim sa i përket miratimit të konkluzioneve për procesin e zgjerimit dhe atë të Stabilizim Asociimit. Ky po llogaritet si sukses i Presidencës sllovene, pasi drafti i konkluzioneve u bllokua, por në fund ministrat e BE-së arritën kompromis.
Megjithatë, një synim tjetër i Presidencës sllovene nuk është realizuar. Gjatë udhëheqjes së Sllovenisë nuk u arrit hapja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tirana dhe Shkupi për vite me radhë po presin nisjen e bisedimeve dhe sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, dy shtetet kanë përmbushur të gjitha kushtet. Por, Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, e ka bllokuar këtë proces për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Maqedoninë e Veriut sa i përket historisë dhe gjuhës. Për shkak se disa shtete po refuzojnë që të ndajnë Shqipërinë nga paketa me Maqedoninë e Veriut, edhe nisja e negociatave me Tiranën është bllokuar.
Presidenca sllovene gjatë takimit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, përmes konkluzioneve të propozuara, tentoi që të niste negociatat me Tiranën dhe Shkupin gjatë udhëheqjes së saj me BE-në. Por, në fund, në dokument fjalia “nisja e negociatave para fundit të këtij viti” u zëvendësua me fjalinë që negociatat “të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Tani, puna për zhbllokimin e procesit të nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut i mbetet Francës.
Sllovenia po ashtu nuk arriti të bëjë asnjë hap drejt liberalizimit të vizave për Kosovën. Ndonëse Lubjana zyrtare kishte vullnet të mirë për këtë proces, ajo kishte vlerësuar se në Këshill nuk kishte vullnet për të kaluar një vendim të tillë, prandaj kjo temë nuk u vendos në rend dite.
Presidenca sllovene e konsideron si sukses edhe arritjen e pajtueshmërisë mes vendeve anëtare të bllokut evropian se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet që të bëhet pjesë e zonës Shengen. Edhe pse Sllovenia dhe Krocia kanë çështje të pazgjidhura mes vete, Lubjana dëshiron që Zagrebi të bëhet pjesë e Shengenit, që do të nënkuptonte edhe heqjen e kontrolleve kufitare në kufijtë e këtyre dy shteteve të BE-së.
Pavarësisht se BE-ja ka struktura të përhershme, siç është Shërbimi për Veprim të Jashtëm (EEAS), roli i kryesuesit të radhës mbetet i rëndësishëm si ndërmjetësues mes shteteve anëtare.
Vlerësohet se bazuar në rrethanat ekzistuese, Sllovenia gjatë kryesimit të BE-së ka arritur që të balancojë si duhet, veçmas duke pasur parasysh se në fillim të Presidencës së saj kishin dalë ide për ndryshimin e kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një prej ideve për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Ide të tilla kishte pasur edhe kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha dhe sipas diplomatëve në Bruksel, një fakt i tillë pati ndikim edhe në punën e Presidencës sllovene, pasi disa veprime të kësaj presidence u panë me dyshim. /REL
Forcat e sigurisë i shpërndajnë dhunshëm protestuesit në Tbi...
Ambasada e SHBA-së në Tiranë uron 80- vjetorin e Çlirimit: K...
Policia e Gjilanit apelon tek të gjithë ngasësit të përshtat...
Peci dënon sulmin në objektin e Komunës së Zveçanit, publiko...
Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbejnë akuza për shkelje të armëp...
Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, Kusari: Prokuroria en...