Google ADS

Sllovenia e gatshme të ndihmojë zhvillimin bujqësor të Kosovës

12:16 | 1 Tetor 2021
Arbresh.info

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka pritur sot në një takim Ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic të shoqëruar nga Drejtori i Odës Sllovene të Bizneseve, Bajram Fusha me të cilët ka diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim të mëtejmë në sektorët që mbulohen nga MBPZhR—ja, me qëllim të fuqizimit dhe zhvillimit të mëtejmë të bujqësisë në gjithë vendin.

Gjatë këtij takimi, ministri Faton Peci ka prezantuar prioritetet dhe projektet zhvillimore, të cilat planifikohen të realizohen gjatë këtij mandati, e të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së këtij sektori, i cili është kontribuesi kryesor në zhvillim ekonomik.

“Ekspertiza sllovene është e mirëseardhur qoftë në shkëmbimin e përvojave për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve ashtu edhe në arritjen e kritereve të IPARD në mënyrë që Kosova të ketë qasje direkte në fondet e Bashkimit Evropian për avancim të sektorit të bujqësisë”, citohet të ketë thënë minsitri Peci.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se në këtë takim, ata u pajtuan që të krijojnë partneritete të reja mes të dyja shteteve, me qëllim të krijimit të mundësive për bashkëpunim mes afaristëve nga Kosova dhe atyre nga Sllovenia duke nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi mes dy shteteve në të ardhmen me qëllim të avancimit të sektorit të bujqësisë dhe pylltarisë.

Në anën tjetër, Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic, shprehu gatishmërinë e saj për të thelluar edhe më tej partneritetin mes MBPZhR-së dhe Ambasadës së Sllovenisë në Kosovë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të Kosovës./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme