Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi ministrin për Punë të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Ivan Korçok.
Pas diskutimit në panelin e Forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022, rreth të ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin për Punë të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Ivan Korçok.
“Kryeministri Kurti duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Bratisllavë, e njoftoi për progresin në vitin e parë të qeverisjes, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe të atyre demokratikë, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit dhe të korrupsionit”, njofton zyra për informim e kryeministrit.
Bëhet e ditur se në takim u diskutua për invazionin dhe agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë dhe për rreshtimin e Republikës së Kosovës përkrah Bashkimit Evropian dhe NATO-s në dënimin e sulmit dhe vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse.
Kryeministri theksoi gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar Ukrainën, duke ofruar strehim për 5000 refugjatë dhe akomodim e kushte pune për 20 gazetarë ukrainas.
Kurse ministri Korçok, thuhet tutje në njoftim, e falënderoi kryeministrin Kurti dhe i shprehu mirënjohjen për dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse, pozicion ky që vlerësohet shumë nga Sllovakia dhe Bashkimi Evropian.
“Kryeministri Kurti potencoi përcaktimin e qartë të Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe euro-atlantike dhe theksoi nevojën që Sllovakia t’u bashkohet sa më shpejtë 22 vendeve të Bashkimit Evropian dhe 26 vendeve të NATO-s, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Kreu i qeverisë, kërkoi mbështetjen e Sllovakisë për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
U bisedua edhe për dialogun me Serbinë dhe kryeministri tha se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përqendruar tek njohja e ndërsjellë.
Gjithashtu bëhet e ditur se Kurti dhe Korçok kanë biseduar edhe për përvojat e Sllovakisë në tërheqjen e investimeve të jashtme dhe reformimin e prokurimit publik, me ç’rast u zotuan që të punojnë së bashku për të ndarë përvojat dhe njohuritë në këtë drejtim./rtk/
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...
Sa mjaltë në ditë mjafton për imunitet të mirë?
Shenjat e horoskopit që e shijojnë beqarinë
Çfarë ndodh kur nuk pini ujë?
Çfarë ndodh kur ka mungesë të vitaminës D3?