Mendimet konspirative si dhe mos sensibilizimi i qytetarëve të Kosovës ka bërë që të rinjtë të hezitojnë të marrin vaksinën kundër Covid-19.
Tina (emër i njohur për redaksinë), për arbresh.info tha se nuk i beson vaksinës anti-covid për shkak se shumë nga to kanë efekte anësore dhe kanë efekt vetëm deri në gjashtë muaj.
“Nuk preferoj ta marrë vaksinën anti-covid për disa arsye. Sipas disa studimeve vaksina të mbron vetëm gjashtë muaj prandaj nuk më duket e arsyeshme ta marr. Asnjë lloj i vaksinës deri më tani nuk më ka bindur se nuk ka efekte të mëdha anësore. Vaksinën do ta merrja vetëm nëse do të ishte kusht për shkak të udhëtimit jashtë shtetit”, deklaroi Tina.
Ndërkaq vaksinimi kundër covid-19, sipas njohësve shëndetësor do duhej të ishte obligim.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, për arbresh.info tha se pas fillimit të vaksinimit më nuk arsyeton sjelljet arbitrare të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Unë i kam arsyetu deri tash se nuk kanë pas vaksina por tash po shihet qe ka vaksina dhe ka mundësi me u mbulu, ajo çka duhet me u ba është duhet me e sensibilizu popullatën dhe me luftu këtë teori të konspiracionit, dhe sa më shumë me qenë aktive institucionet, mediat për sensibilizimin”, tha Syla.
Syla shton se duhet të krijohet një mekanizëm që obligon qytetarët të vaksinohen.
“Nëse në Suedi sëmuresh dhe ke shku me marr ndihmë mjekësore nëse nuk e ke marr vaksinën nuk të japin ndihmë mjekët. Pra, duhet të gjinden metoda të cilat i obligojnë të gjithë ata për me marrë vaksinën. Pra është e domosdoshme”, deklaroi Syla për arbresh.info.
Arbresh.info ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë të cilët thanë se janë duke përgatitur një strategji për të informuar të gjithë ata që hezitojnë të vaksinohen, kundër covid-19.
“MSh në bashkëpunim me partneret strategjik ka përgatitur një strategji informimi për kampanjën e vaksinimit duke synuar të reduktoje ndikimin e hezituesve për ta marre vaksinën, përmes informimit të drejte, përdorimit të figurave influencuese dhe profesionisteve shëndetësor për të shpjeguar benefitet e vaksinimit si rruga më e mirë për t’ia dale me COVID-19”,thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Sipas tyre vaksinimi është duke vazhduar në kategori të ndryshme përfshirë edhe gazetarët.
“Deri tash janë vaksinuar persona të moshës mbi 65 vjeç, por edhe më të ri me sëmundje kronike apo nga profesionet mjekësore, mësimdhënës, policia e FSK. Se fundi janë hapur edhe kategori të tjera që mund të vaksinohen , por pjesa më e madhe e të vaksinuarve pra kanë qenë mbi 65 vjeç. Tash vaksinimi bëhet edhe tek personat mbi 55 vjec-65. Gjithashtu gazetaret dhe disa kategori te tjera”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ndryshe prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 189.006 doza të vaksinës, ndërsa në 24 orët e fundit janë dhënë 8.517 doza të vaksinës kundër COVID-19, si dhe 45.015 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./arbresh.info/
Xheneta zbeh pëlqimin për Gjestin: Dua një partner që fjala ...
SHBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpush...
Manchester United ëndërron të mposht Real Madridin për të në...
Xheneta: Nuk do t’ia lejoja partnerit tim këngëtar që femrat...
Drita mposht Suharekën
Zbulohet kolonia e koraleve më e madhe në botë/ Mbi 300 vjeç...