Google ADS

Skender Zhitia jep dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë

21:08 | 26 Gusht 2024
E.G

Seanca e sotme ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, nisi me një sqarim nga trupi gjykues, ku u tha se nuk ka monitorim të bisedave në mes të avokatëve dhe të paraburgosurve. E pjesa tjetër e seancës vazhdoi me dëshminë e Skënder Zhitisë, ish-pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Ai u pyet nga prokuroria lidhur me librin e tij të shkruar për ngjarjet në UÇK.

Për një libër të shkruar rreth 16 vjet më parë për luftën në Kosovë, përkatësisht për Zonën e Llapit,u ftua të dëshmojë në Hagë, Skënder Zhitia, ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit.

Prokurorja, fillimisht, tregoi se Zhitia do të flasë për metodologjinë, intervistat dhe burimet e përdorura në librin e tij. Derisa përgjigjej në dëshminë e tij, Zhitia tha se avokatë dhe prokurorë nga dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion kanë përcjellë mesazhe të gabuara, derisa tha se librin e ka ribotuar pa ndryshime.

“Ju përshkruani , pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ka pasur disa ofensiva serbe”, tha Silvia D’Ascoli, prokurore.

“Kishin për qëllim dëbimin e popullatës civile nga rajoni i Llapit, por është një operacion i bazuar në planin ‘Patkoi’ të Serbisë në atë kohë, i cili filloi me fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe ky operacion filloi nga pjesa më veriore e Kosovës, respektivisht nga zona Operative e Llapit”, tha Skënder Zhitia, dëshmitar.

Sophie Menegon, avokate e Hashim Thaçit, pyeti dëshmitarin në kohën e Rambujesë, nëse komandanti i Zonës së Llapit ka pasur pakënaqësi rreth Rambujesë.

“Mbasi keni qenë në zonën e LLapit, komandanti i Zonës së Llapit kishte pasur pakënaqësi rreth Rambujes?”, pyeti avokatja Menegon.

Ndërsa dëshmitari iu përgjigj nëse iu referohet librit apo ideve të tj personale

“A po i referohesh librit, apo po më pyet mua për mendimet e mia personale. Gjatë kohës së luftës nuk kam pasur, pas luftës…”, tha dëshmitari Zhitia.

Ai më tej shtoi se nuk ka pasur fatin t’i takojë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme