Skenari për marrjen në kontroll të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak, nga vetë KFOR-i, në mënyrë që të bëhet zhbllokimi dhe tërheqja e Njësisë Speciale të Kosovës, për momentin nuk është duke u cilësuar si plan A, shkruan arbresh.info.
Aktualisht patrullimi i përbashkët i KFOR-it, Njësisë Speciale të Kosovës dhe EULEX-it, mbetet e vetmja zgjidhje.
Për këtë çështje KFOR-i për arbresh.info ka thënë, komandanti i KFOR-it është në kontakt me krerët e institucioneve në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata në veri.
“Për më tepër, Komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe bashkësinë ndërkombëtare, me qëllim që të kontribuojë në një de-përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Po ashtu shtimi numrit të patrullave dhe zgjatja e rutinë në monitorimin e gjendjes në veri mbetët në fokus të tyre, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
“KFOR po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij. KFOR-i, ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovës, përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokimet e rrugëve. Ajo gjithashtu ka vendosur njësitë e saj në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Brnjak, në përputhje me mandatin e saj në OKB. Duke vepruar kështu, KFOR vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e sigurisë.”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për arbresh.info.
E njohësit e çështjeve për siguri në Kosovë, kanë mendime të kundërta në lidhje me marrjen në kontroll totale të KFOR-it.
Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, për arbresh.info ka thënë se intervenimi i KFOR-it në çfarëdo forme nuk e zhbllokojnë po as nuk e bënë largimin e Njësisë Speciale.
“Jo situatën nuk e zhbllokon intervenimi i KFOR, dhe as nuk do të ndodh tërheqja e Njësisë Speciale të Kosovës. Procesi për të ulur tensionet, situatën në piken 1 dhe 31 nga ana e bashkësisë ndërkombëtare KFOR dhe Eulex është i vonuar për arsyeje të statusit neutral që kanë këto dy misione në Kosovë”, tha Shala.
Shala tutje tha se qëndron një mister drejtë zhvendosjes së situatës në një kompensim që shpie tek Asociacioni i Komunave Serbe, dhe assesi Kosova nuk duhet të zmbrapset nga vendimi për reciprocitetin.
“Por është një hap që situatën e tillë ta zhvendosin nga një vendim legjitim dhe legal në nivel politik ndërshtetëror ku pastaj palët e involuar do të duhen që të gjejnë një “kompromis” e që në këtë rast mbetet Asociacioni i Komunave Serbe siç është nënshkruar në Bruksel e pala e Kosovës do mund të marr si kompromis lehtësimin në procedura të aplikimit në mekanizmin ndërkombëtar të cilat janë të pezulluara. Pra , Kosova duhet të qëndrojë mbrapa vendimit të saj sepse këtu kemi të bëjmë më një çështje të brendshme të vendit e assesi të lejohet që të interferojë një shtet tjetër brenda juridiksionit vendor e në anën tjetër të kërkohet në procedurë ligjore politike në kuvend një vendim që të përjashtohet nga çdo seance Lista Serbe deri sa ti bindet vendimeve institucional të Kosovës”, tha Shala.
Pikërisht për këtë çështje Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie tha se Njësia Speciale janë aty për të mbështetur punën e institucioneve të tjera që punojnë në ato dy pika.
“Ne përshëndesim të gjithë ndihmën që KFOR-i dhe EULEX-i po na japin në këto momente dhe mbështetje e cila nuk ka munguar. Por, po ashtu dua të theksoj se Policia e Kosovës është plotësisht e aftë që të sigurojë në çdo moment zbatimin e ligjit edhe pse tashmë është duke u sjell në mënyrë më restriktive, në momentin që organet policore e vlerësojnë ata mund të ndërmarrin edhe hapa të tjerë por janë vlerësime të qarta unë besoj edhe të drejta se situata atje është e qetë është e kontrolluar dhe me ndihmën e shteteve aleate dhe me ndihmën e misioneve aleate ne paqësisht do ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Sveçla.
Ndërkaq njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi për arbresh.info tha se me një skenar të tillë do të fillonte relaksimi i situatës në veri, dhe se marrëveshja për lënien nën kontroll të KFOR-it, nuk u përshëndet nga asnjëra palë.
“Një kusht është që së pari të tërhiqen protestuesit dhe të hiqen barrikadat nga dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në mënyrë që t’i lihet KFOR-it, çështja e patrullimit dhe të sigurimit të pikave kufitare por njëkohësisht personelit atje, doganave, policisë, dhe për qarkullim të papengueshëm dhe të zbatimit të reciprocitetit. Mirëpo po shihet që nuk kanë rënë dakord për këtë kështu që mbetet ky pozicion pra patrullimi i përbashkët edhe i KFOR-it edhe i Njësisë Speciale të Kosovës. Unë mendoj që një skenar i tillë do të ishte mirë për arsye se do fillonte relaksimi i gjendjes atje assesi prania e Njësisë Speciale të Kosovës, ashtu siç e potencojnë atje se tregohet forcë nuk qëndron e ajo çka është me rëndësi është qetësimi i situatës dhe të vazhdojë kjo masë e reciprocitetit”, tha Ibishi.
Kujtojmë se KFOR -i ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet duke vendosur njësitë e tij në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB -së të vitit 1999.
KFOR gjithashtu ka zhvilluar bisedime me të gjitha palët e përfshira në ndërprerjen e protestave në veri. Masat e miratuara, të diskutuara më parë nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha Institucionet në Kosovë dhe me Kryetarët e Komunave të Veriut, kanë për qëllim favorizimin e një përshkallëzimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi dhe lirie të sigurt të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë./S.D/arbresh.info/
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...
Pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Akron – Mirlind D...
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...