Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.
Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.
Insajderi raporton se 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala.
Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës, raporton Gazeta Insajderi.
Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.
Dy pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K. ndodhen në arrati që nga e marta. Atë ditë, Policia e Kosovës arrestoi Labinot Grudën, zyrtarin e Thesarit të Shtetit, i cili dyshohet për transferet ilegale në vlerë prej mbi dy milionë eurove.
Por, jo vetëm këta tre persona qëndrojnë prapa skemës së vjedhjes dhe shpërndarjes së milionave të zhdukur nga Thesari.
Gazeta Insajderi ka zbuluar se skema e vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit implikon edhe njerëz të lidhur me politikën, një kompani të huaj me bazë në Turqi dhe biznesmenë të tjerë të profilit jo të lartë.
Brenda ditëve të para pas vjedhjes nga Thesari i Shtetit, shumica e mjeteve janë transferuar nga LDA Group SH.P.K në llogaritë e 13 kompanive të tjera private dhe 4 personave fizik.
Po ashtu gazeta ka zbuluar rrjedhën e parave të cilat dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”. Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.
“Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.
Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.
Biznesmeni Koç besohet të ketë lidhje me Kadri dhe Valon Shalën, pronarët e LDA Group Sh.P.K të cilët dyshohet se pas transferimit ilegal të mjeteve janë arratisur në drejtim të Turqisë.
300 mijë euro të tjera nga LDA Group janë transferuar në xhirollogarinë e Gashi Komerce Sh.P.K, një firme private me bazë në Suharekë.
Bazuar në regjistrin e të dhënave pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), pronarë të Gashi Komerce Sh.P.K figurojnë Gëzim dhe Mevlide Gashi.
Të dy zotërojnë nga 50 për qind të aksioneve të firmës, e cila merret me prodhimin e artikujve të plastikës për ndërtimtari.
Tri ditë pas zhdukjes së milionave të Thesarit, secili nga dy djemtë e bashkë-pronarëve të Gashi Komerce Sh.P.K, u bënë pronarë të dy veturave të reja të markës gjermane Audi.
Kështu sugjeron një postim i bashkëshortit të Mevlide Gashit dhe vëllait të Gëzim Gashit, i cili uroi djalin e nipin e tij për blerjen e dy veturave të reja në një sallon automobilësh në Prishtinë.
Sipas të dhënave publike, Gashi Komerce Sh.P.K ka deklaruar kapital në vlerë prej 2 mijë eurove, ndonëse firma është regjistruar si biznes më 2014, raporton Gazeta Insajderi.
Pjesë e skemës së vjedhjes milionëshe nga Thesari është edhe Burim Bujupi. Kësisoj, lidhjet e tij çojnë edhe drejt Kadri Shalës, bashkë-pronarit të “LDA Group” Sh.P.K.
Gazeta Insajderi, ka mësuar se në xhirollogarinë e bashkë-partiakut të Kadri Shalës, është procesuar një transaksion në vlerë prej mbi 50 mijë eurove disa orë pas transferimit të mjeteve të vjedhura nga Thesari në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K., tregojnë të dhënat.
Përfituese nga skema e vjedhjes së buxhetit të shtetit është edhe një familjare e Bujupit. Gazeta Insajderi ka mësuar se nga kompania “LDA Group” Sh.P.K., pas 9 tetorit, 30 mijë euro janë transferuar në xhirollogarinë e 65-vjeçares, Myrvete Muhadri, vjehrrës së Burim Bujupit.
Muhadri është një grua në pension për të cilën ka shumë pak të dhëna publike, përveç lidhjes familjare me asamblistin e Kuvendit Komunal të Drenasit.
Një emër tjetër tregtar i lidhur me njerëz të politikës, e që implikohet në skemën e vjedhjes nga Thesari, është “KREATIV” Sh.P.K. Kjo ndërmarrje private është pronë e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, anëtarit të Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjatë Qeverisë Haradinaj (2016-2019), Argjend Zejnaj shërbeu si shef i Kabinetit të Pal Lekajt, ish-ministrit të Infrastrukturës. Pikërisht nga linja buxhetore e kësaj ministrie u tërhoqën paratë, të cilat më pastaj u përdorën për kryerjen e pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit për kompaninë “LDA Group”.
“KREATIV” Sh.P.K. është e regjistruar në Prishtinë në vitin 2016. Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, drejtor i saj figuron Astrit Zejnaj, ndërkaq aksione në kompani zotëron edhe Arjeta Selmanaj.
Vëllezërit Zejnaj
Pak më shumë se 296 mijë euro, nga “LDA Group” janë transferuar në xhirollogarinë e “Isotherm Muja” Sh.P.K.. Është kjo një firmë private nga Suhareka, drejtor i së cilës figuron Mujë Llugaxhiu.
Gazeta ka mësuar se Llugaxhiu ka afërsi familjare me Bashkim Ndrecajn, një asamblist komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Suharekë.
Në regjistrin e ARBK-së, kjo kompani figuron se ushtron veprimtarinë e prodhimit të produkteve minerale jometalike. Kompania është e regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë katër vjet më parë.
“Dili Commerce” Sh.P.K është një kompani tjetër në xhirollogarinë bankare të së cilës u transferuan 50 mijë euro nga “LDA Group”, tregojnë të dhënat.
Ndërkaq, Shpejtim Rexhaj B.I., në të cilën firmë private janë transferuar 45 mijë euro të tjera nga shuma e vjedhur prej Thesarit, është një firmë e emërtuar me emrin tregtar “Shpërtimi – R”.
Kjo kompani, bazuar në të dhënat publike, figuron të jetë në pronësi të Shpejtim Rexhajt nga Komuna e Gjakovës. Në bazë të të dhënave publike, kompania të cilën e zotëron ai, është themeluar në prill të 2012-s. Veprimtari kryesore e ka përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore.
Së paku sipas të dhënave publike, nuk ka asnjë informacion që e ndërlidh atë dhe biznesin e tij me të implikuarit e tjerë në skemën e vjedhjes milionëshe.
Tre mijë euro më pak, saktësisht 42 mijë, janë transferuar në xhirollogarinë e firmës private “Kastrati Bau”. Edhe kjo ndërmarrje është e regjistruar në Gjakovë. Pronar i saj është Drilon Kastrati.
Kompania është e regjistruar pranë ARBK-së në Ministrinë e Tregtisë më 2006 dhe ushtron veprimtarinë e tregtisë me shumicë të drurit, materialeve ndërtimore dhe pajisjeve hidrosanitare.
Nga Gjakova, në skemën e vjedhjes milionëshe është implikuar edhe kompania private “Euroasphalt”. Me bazë në Bishtazhin të Komunës së Gjakovës, kjo firmë është e regjistruar në ARBK në vitin 2008. Kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë është Kaltrin Kryeziu, drejtor dhe agjent i regjistruar Fatos Deva dhe anëtar i bordit Alban Fetoshi.
Kjo kompani merret me një numër të madh të aktiviteteve përfshirë nxjerrjen e gurit dekorativ dhe të ndërtimit, gurit gëlqeror etj.
55 mijë euro, menjëherë pas dëmtimit të Thesarit të Shtetit, pronarët e “LDA Group” i derdhën në llogaritë e kompanisë NPT “Fati”, ndërsa 6 mijë e 500 euro të tjera në llogarinë e “Al Metal Sadria” Shpk, një kompanie me bazë në Drenas, pronësia e së cilës është deklaruar mbi biznesmenin Sadri Elshani.
Në dy transaksione të veçanta, nga kompania që ekziston vetëm në letra – “LDA Group” Sh.P.K – u transferua edhe një shumë me vlerë të përgjithshme prej 46 mijë eurove në xhirollogaritë e dy personave juridik: Besim S. Hoti e Bedri Shala. I dyti dyshohet të ketë lidhje familjare me dy të dyshuarit.
Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave. Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.
Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se është kërkuar bllokimi i llogarive ku dyshohet të jenë transferuar mjetet nga Thesari.
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro”, thuhej në raportin e Policisë.
Për transferimin ilegal të mjeteve shpalosi detaje edhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një konferencë të jashtëzakonshme për media dy ditë më parë.
“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta të cilat kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit të Kosovës, e cila është pjesë e Ministrisë së Financave dhe rreth 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami.
Udhëheqësja e Ministrisë së Financave ka thënë se “me t’u njoftuar për rastin, menjëherë [të martën, v.j] kemi njoftuar organet e drejtësisë”.
Si raport i skandalit, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj liroi nga detyra Hajrie Shalën, njërën nga këshilltaret e saj. Ajo është vajza e Kadri Shalës. Nisma Socialdemokrate, megjithatë, u distancua nga veprimet e bashkë-pronarit të “LDA Group” dhe u bëri thirrje organeve të rendit që të hetojnë rastin e krimit.
Zyrtari i Departamentit të Thesarit, Labinot Gruda, i arrestuar të martën për kryerjen e transaksioneve ilegale, është lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Në të kaluarën, ka qenë drejtor në Komunën e Drenasit gjatë udhëheqjes së RamizLladrovcit. Por, PDK-ja ka mohuar lidhjen e saj me Grudën.
Transaksionet nga Thesari tek LDA
622 mijë euro
375 mijë euro
330 mijë euro
750 mijë euro
Transaksionet nga LDA tek 17 llogari tjera
Tërheqje Kesh 215.000
Tërheqje ATM 51.572
NTSH Shefqet SHPK 5.000
Bedri Shala 20.000
Kreativ SHPK 21.566
Euroasphalt SHPK 7250
KF GrykaLlapushnik 26.000
Besim Salih Hoti 26.000
Kastrati Bau 42.000
Shpejtim Rexhaj 45.000
Dili Comerce SHPK 50.000
N.P.T Fati 55.2613
ODA e Junikut SHPK 6.136
Myrvet Muhadri 30.250
Burim Bujupi 50.500
Isotherm Muja SHPK 296.205
Gashi komerce SHPK 300.000
AL Metal Sadria SHPK 6.500
Vekoc Makinains san ved tic 1/LTD STI Turkye 125.000 / 215.000
Burimi për Drenushën: Tezja edhe dy-tri javë reklamon rrobat...
Presidentja Osmani të enjten u adresohet deputetëve
Man Utd është gati të ofrojë yllin e skuadrës plus para për ...
Largohen nga përdorimi doracakët e Edukatës Seksuale, Abdixh...
Suhareka e para në Kosovë me platformë për aplikimin online ...
BE: Çështjet e arsimit dhe shëndetësisë në veri të Kosovës t...