Në disa nga protestat e opozitës në Shqipëri, ishte përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit ndërsa afroheshin në godinat institucionale apo kur protesta përshkallëzohej, ndërkaq dje në medie ka qarkulluar lajmi se nga kush ishte huazuar ky gaz. Rreth 500 granata gaz me lotsjellës u përdorën për të shtypur protestat e opozitës në Shqipëri në qershorin e 2019 që ishte huazuar nga Policia e Kosovës.
Në atë kohë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, kishte deklaruar se sasia e gazit e përdorur ishte blerë në kohën e Sali Berishës, pas protestave të 21 janarit të vitit 2011.
Ndërkaq, dje faji iu hodh Ministrisë së Punëve të Jashme të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do ta padisë Alma Lamën pasi kjo e fundit ka thënë se Pacolli ka dërguar gaz lotsjellës në Shqipëri në vend të 1 milionë eurove që i kishte premtuar.
“Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por dërgoi 500 granata helmi, gazi lotsjellës”, kishte shkruar Lama në profilin e saj në “Facebook”.
Pacolli ka thënë se një deklaratë e tillë është shpifje dhe se për një gënjeshtër të tillë do të përballen në gjykatë.
“Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë”, kishte shkruar Pacolli si kundërpërgjigje për Alma Lamën.
Megjithatë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare lidhur me këtë çështje, ka konfirmuar se është huazuar gaz lotsjellës për policinë shqiptare gjatë vitit të kaluar.
“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë, që është realizuar në vitin e kaluar. Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Nga Policia, po ashtu kanë sqaruar se janë marrë sugjerimet pozitive nga zyrat ligjore të institucioneve relevante.
“Në aspektin ligjor, paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-së dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës. Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës”, thuhet tutje në sqarim.
Policia tutje sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast, jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”.
Ndërkaq, drejtori për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, ka thënë se IKSN, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
“IKSN, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit Rashit Qalaj, jo vetëm për çështjen e shitjes së gazit lotsjellës, një çështje e cila u ngrit nga media ditëve të fundit, edhe pse ky rast është shkelje e rëndë. (Gazi lotsjellës është paisje policore dhe njëjta nuk mundet të shitet apo tjetërsohet, kjo çështje është e rregulluar me rregulloren për pajisjet policore në kuadër të MPB-së), IKSN, ka kërkuar dorëheqjen e Qalajt për shumë probleme të cilat janë duke e dëmtuar rëndë kredibilitetin e Policisë së Kosovës”, ka thënë Elezi.
Elezi, po ashtu ka thënë se vetëm në 2019 më Policinë e Kosovës, kanë dhënë dorëheqje rreth 220 zyrtarë policor, 41 të tjerë janë arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Dhe një numër po ashtu shumë i madh i zyrtarëve policor janë nën hetime apo procedura diciplinore. Po ashtu rastet e vitit 2020, ku janë arrestuar edhe zyrtarë të lartë policor me dyshimin se të njëjtit duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë kryer vepra të rënda penale, dhe të njëjtit janë arrestuar nga IPK. Nëse marrim parasysh të gjitha këto argumente e shumë argumente të tjera, sigurisht se ne si IKSN, mendojmë se z.Qalaj duhet të reflektoj dhe kështu të jap dorëheqje dhe të i hap rrugën e reformave në polici”, ka thënë për arbresh.info, Elezi.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, për arbresh.info, ka thënë se kjo është më e pakta e dorëheqëse së tij, sepse është lajm tronditës që plumbat e gaztë të vrasin njerëz në Tiranë, e të vijnë prej Kosovës.
“Unë qe po shkruaj jam një njeri që kam qenë larg protestuesve në Tiranë, kam qenë duke ecë në punë time dhe gazi vrasës me bëri të vjell, të mbetem në vend dhe atë ditë mallkova jo veç përdoruesin Sander Lleshi ministër dhe Edi Ramën urdhër-dhënës, por mallkova edhe shpikësin e kësaj armë vdekjesjellëse”, ka treguar Shahu, për arbresh.info.
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve