Familjarë të shumtë kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth pamundësisë që fëmijët e tyre të marrin vaksinën mbrojtëse për alergji ndaj thumbimit të bletës dhe grerëzës.
Në adresën e portalit Arbresh.info kanë arritur shqetësimet e familjarëve, të cilët po ashtu kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, rreth këtij shqetësimi.
Kjo ankesë e familjarëve, që kanë dashur të mbesin anonim, ka ardhur pas pezullimit të dhënies së vaksinave që i është bërë doktoreshës, alergologe, Leonora Lleshi në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, e cila është e vetmja në Kosovë.
Ky pezullim, po rrezikon direkt personat që janë alergjik nga thumbimit të bletës dhe grerëzës, gjë që mund tu kushtojë me jetë.
Në ankesën e drejtuar Avokatit të Popullit, familja e të riut, tregon rreziqet që mund ta presin djalin e tyre nga mungesa e vaksinës dhe pamundësia për ta marrë këtë trajtim në Kosovë.
“Më 08.09.2022, u konstatova alergjik ndaj thumbimit të bletës dhe grerëzës. Pasi manifestova simptoma të rënda, si frymëmarrje të shpeshta dhe probleme të tjera të shëndetit, mora menjëherë ndihmën e duhur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Hajvali. Pastaj, me rekomandimin e tyre, u drejtova në spitalin e dermatologjisë për kontroll shtesë, ku Dr. Luljeta Ahmetaj vërtetoi alergjinë time në Klinikën “Ylli” në Prishtinë. Pas kuptimit të nevojës për terapi mbrojtëse të imunizimit, fillova trajtimin me vaksinën mbrojtëse nga alergologia Leonora Lleshi në spitalin e përgjithshëm të Gjakovës. Megjithatë, për shkak të disa parregullsive në trajtimin tim, mjekimi mbeti në gjysmë. Është e rëndësishme që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë për të shmangur rreziqet e mundshme për shëndetin tim”, thuhet në ankesën e familjes së të riut drejtuar Avokatit të Popullit.
Po ashtu, familja bënë të ditur se kanë drejtuar edhe një ankesë tek Ministra e Shëndetësisë lidhur me rastin, nga e cila ende nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje.
“Për momentin, jam në rrezik të lartë nga pickimi i bletës dhe grerëzës, duke qenë që trajtimi im nuk është plotësuar. Kërkoj që institucioni juaj ta trajtojë këtë problem si prioritet dhe të merret me të menjëherë”, thuhet në ankesë.
Ndërkohë, Arbresh.info, lidhur me këtë ka kontaktuar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), për të mësuar arsyet e pezullimit të punës së doktoreshës Lleshi.
“Fillimisht ju njoftoj se nuk bëhet fjale për injeksione të rëndomta, por për vaksina për desinzibilizim nga Alergjitë e ndryshme. Inspektorati farmaceutik gjatë inspektimit në Institucionin tonë, respektivisht në dhomën e Dr. Leonora Lleshi ka hasur në disa parregullsi , me ç’rast Inspektorati ka kryer inspektimin dhe ka konstatuar se: a) Një frigorifer i cili gjendet ne dhomën e Dr. Leonora Hana Lleshit janë gjetur vaksina , për të cilat mungon dokumentacioni përcjelljes, b) Vaksinat nuk posedojnë banderola të RKS.c. Frigoriferi nuk ka poseduar termometër për matjen e temperaturës, si rrjedhojë është shkëputur zingjiri i ruajtjes se vaksinave. d) Të njëjtat janë mbajtur në frigorifer së bashku me gjera ushqimore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Tutje, në përgjigjen e SHSKUK-së thuhet se doktoresha Lleshi është gjobitur me 2000 euro.
“Si rrjedhojë e këtyre shkeljeve Dr. Leonora Hana Lleshi është ndëshkuar me gjobë 2000 euro dhe ne si Institucion kemi pranuar edhe këto rekomandime nga Inspektorati:
Vaksinat të karantinohen tek produktet e pa përdorshme deri në asgjësimin e tyre.
Ndërsa, sa i përket ordinimit apo jo të vaksinave nga doktoresha në fjalë, sipas këtij institucioni pritet të vendos Inspektorati Shëndetësor.
“Lidhur me të drejtën e ordinimit apo jo të vaksinave nga Dr. Leonora Hana Lleshi do të vendos Inspektorati Shëndetësor”, bënë të ditur SHSKUK.
Megjithatë, përkundër pezullimit të punës së alergologes Lleshi, personat alergjik nga pickimi i bletëve dhe grerëzave kanë mbetur në mëshirën e fatit dhe rrezik për jetën, pasi nuk ka ndonjë alergologë tjetër që kryen këtë vaksinim mjaft të ndjeshëm.
Personat që janë alergjik ndaj pickimeve të bletëve, mund të përjetojnë një reagim të rëndë siç është anafilaksia. Anafilaksia ndaj një pickimi të bletës kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor. /Arbresh.info/
Gjesti e bën edhe këtë – Futet në koshin e bërllokut për një...
Kurti nga Gjilani: Jemi të gjithë bashkë për një qeverisje d...
Bajrami: Partia në pushtet e ka përgjegjësinë pse s’ka rrymë
Theren me thikë tre persona në Prizren
Pas aterimit në Beograd, arrijnë në Prishtinë 155 udhëtarët ...
Hamza: Më shumë të ardhura për secilin, më shumë vende pune ...