Nuk ka ndonjë vendim për protestë nga Njësia Speciale Intervenuese (NJSI).
Kështu thotë kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri për Arbresh.info.
Zeqiri thotë se janë në pritje të një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sa i përket zbritjes së pagave, Zeqiri thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon zbritje.
Zeqiri: Jemi në pritje të një takimi me Sveçlën
“Jemi në pritje të një takimi me Ministrin e MPB-së për të diskutuar për kërkesat dhe realizimin e tyre, kështu që nuk ka ndonjë vendim për protestë, duke marr parasysh edhe situatën në veri të vendit. Kurse sa i përket zbritjes së pagave, tani më vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon zbritje si dhe disa benifite tjera”, shprehet Zeqiri.
Se duhet të ketë një takim në mes të përfaqësuesve të policisë dhe ministrisë së Brendshme, thotë edhe ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.
Hoxha: Këto pakënaqësi të policëve për kushtet e punës nuk po hasin në mirëkuptimin e Qeverisë e bënë situatën më serioze
“Vlerësojë që urgjentisht duhet të ketë një takim mes përfaqësuesve të policisë dhe ministrisë së Brendshme, për t’i adresuar të gjitha shqetësimet rreth punës dhe të hartohet një kalendar me afate kohore rreth plotësimit të kushteve të mundshme për tu plotësuar, e po ashtu një pajtim të dyanshëm për shtyrjen e disa kërkesave me kosto të lartë buxhetore”, pohon Hoxha.
Ai thekson se ekziston një konfirmim nga disa njësite speciale të koordinuara me Sindikatën e Policisë që përcaktojnë edhe një afat mujor si kohë për reflektim të
Qeverisë karshi plotësimit të kërkesave të tyre
“Se fundmi, kemi edhe një konfirmim nga disa njësite speciale te koordinuara me Sindikatën e Policisë që përcaktojnë edhe një afat një mujore (muajin shkurt) si kohe për reflektim të Qeverisë karshi plotësimit të kërkesave të tyre dhe po mendojë qe ky veprim i tyre tregon faktin se pakënaqësitë nuk janë zvogëluar por përkundrazi ato do të pasohen edhe me veprime sindikale të lejuara ligjërisht”, pohon Hoxha për Arbresh.info
Sipas tij, fakti që këto pakënaqësi të policëve për kushtet e punës nuk po hasin në mirëkuptimin e Qeverisë e bënë situatën më serioze.
“Fakti se këto pakënaqësi të policeve për kushtet e punës nuk po hasin ne mirëkuptimin e Qeverisë dhe fakti se çdo muaj po vazhdojnë dorëheqjet nga puna të punonjësve të policisë përshkak të kushteve të punës, e bëjnë situatën serioze dhe jam i bindur që do të ndikojë direkt në uljen e moralit të punës dhe dëmtimin e imazhit publik të policisë”, përfundon Hoxha.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se Sindikata e Policisë tani është në harmonizim të plotë me njësit dhe strukturat e policisë së vendit.
Shala: Protesta e NJSI-së tani ka marrë frymë institucionale
Sipas Shalës, protesta e NJSI-së tani ka marrë frymë institucionale përmes Sindikatës, dhe shton se nuk duhet të ndërmerren veprime jashtë saj.
“Sindikata e PK tani është në harmonizim të plotë më njësit dhe strukturat e policisë se vendit duke mbledhur informacione por edhe qëndrime të kjarta për avancimin e të drejtave të zyrtareve policor në përmbushjen e kërkesave që i kanë ata në punët e përditshme. Protesta e njësive speciale tani kanë marr frymë institucionale përmes sindikatës dhe nuk duhet assesi të ndërmerren veprime jashtë sindikatës sepse janë dëshmuar që rezistenca politike është tejet e lartë”, thekson Shala.
Tutje ai shprehet se policia duhet të ri-modelojë konceptin e tyre për një polici edhe më të pavarur nga Ministria e Punëve të Brendshme në formën financiare.
“Policia niveli menaxhmentit duhet të ri-modeloje konceptin e tyre për një polici edhe me te pavarur nga niveli i MPB në formën financiare përmes një kodit të veçantë buxhetor dhe kështu brenda ti të mund të arrijë plotësimin e kërkesave dhe nevojave që ata i kanë në formën institucionale për zyrtaret e saj”, përfundon Shala.
Ndërsa të martën në mbledhjen e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka shqyrtuar peticionin e Sindikatës sё Policisë sё Kosovës.
I pari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri ngriti shqetësimet e zyrtarëve policorë sa i përket pagave e kushteve të punës. Ai tha se ka pasur zbritje të pagave deri në rreth 600 euro.
“Në këtë peticion ne kemi paraqitur pakënaqësitë e të gjithë punonjësve. Peticioni është organizuar nga sindikata për të treguar se sa është e pakënaqur Policia e Kosovës në lidhje me Ligjin e Pagave dhe kushtet tjera. Pas peticionit kemi pasur takim me ministrin e Punëve të Brendshme dhe jemi dakorduar që në takimin e ardhshëm të bisedojmë e të vendosim prioritetet”, kishte thënë ai.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) vitin që lamë pas ka protestuar para qeverisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Sindikata e Policisë së Kosovës në protestën së bashku me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) kishte thënë se po kërkojnë nga qeveria që të plotësojë kërkesat legjitime dhe ligjore të policisë në një afat kohor sa më optimal.
Kjo pasi sipas tij kërkesat e policisë janë me prioritet dhe si të tilla duhet edhe të trajtohen.
Këto janë kërkesat e paraqitura:
“Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera,
Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 për qind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave,
Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës,
Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare,
Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor,
Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare,
Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike,
Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive,
Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg,
Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit,
Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit,
Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen,
Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje,
Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare”.
Pas protestës, Sindikata e Policisë së Kosovës ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të cilin mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha.
Në këtë takim ishte diskutuar për situatën aktuale, gjendjen ekonomike të pjesëtarëve të PK-së, si dhe për kushtet e punës në Policinë e Kosovës.
Sipas Sindikatës, takimi karakterizohet si përmbajtjesor konstruktiv./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag