Para se të sillej marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës për t`u votuar, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte bërë të ditur se do të punojë në drejtim të rrëzimit të Qeverisë Haradinaj.
Kjo po del të jetë e vështirë për shkak se në Parlament nuk ekziston një opozitë e fortë e cila do të mund t`i siguronte 61 vota për ta rrëzuar kryeministrin Ramush Haradinaj.
Në një prononcim për Indeksonline, deputeti i LDK-së, Naser Osmani ka thënë se partia e tij vazhdimisht do të punojë për të ardhur në pushtet dhe për t`i dhënë qytetarëve të Kosovës qeverisjen që e meritojnë.
“Normalisht që ne gjithmonë do të bëjmë përpjekje për të ardhur në pushtet për t`i dhënë më të mirën këtij vendi, për t`i dhënë perspektivë, për integrimin e njerëzve dhe për integrimin e Kosovës. E konsiderojmë pengesë këtë Qeveri e cila nuk është në gjendje ta avancojë shtetin në këtë drejtim. Fatkeqësia është që ne nuk kemi partner të mirëfilltë si opozitë në Parlament me të cilët do të bënim përpjekje për të siguruar 61 vota për të rrëzuar Qeverinë për momentin”, ka thënë Osmani.
Tutje, ai ka shtuar se çdo përpjekje e tyre do të shkojë në drejtim të rrëzimit të Qeverisë, për të cilën ka thënë se koalicioni qeverisës PDK-AAK-Nisma mund ta shohë vet që nuk mund t`i përgjigjet interesave të qytetarëve për integrim dhe mirëqenie.
Se nuk mund të arrihen 61 vota kundër Haradinajt e ka theksuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Në një prononcim për Indeksonline, ai ka deklaruar se partia e tij e ka të pamundur të bashkëpunojë me LDK-në e cila dje me votën e saj pro demarkacionit, ia ka zgjatur jetën Qeverisë Haradinaj. Sipas Selimit, deputetët e LDK-së dhe Kryesia e saj nuk kanë asnjë të drejtë morale të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.
“LDK nuk ka të drejtë as me e çelë gojën pas votimit të djeshëm. Dje LDK-ja e ka mbajt Qeverinë gjallë dhe i ka shërbyer në mënyrë besnike Qeverisë për t`ia zgjatur jetën, prandaj asnjë të drejtë morale deputetët e LDK-së nuk e kanë ta kërkojnë nga Haradinaj dorëheqjen, përveç se ata tashmë duhet t`i shërbejnë atij teknikisht. E vetmja Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët e saj kanë të drejtë dhe do të vazhdojnë që të kërkojnë edhe dorëheqjen, do të kërkojnë që të ndalet korrupsioni dhe keq-qeverisja. Ne e kemi të pamundur të bashkëpunojmë me LDK-në si opozitë deri sa LDK-ja bashkëpunon me partitë në pushtet si PDK, AAK e Nisma”, ka thënë ai.
Selimi ka shtuar se Vetëvendosje në forumet e partisë do t`i marrë vendimet për nismat e saja në të ardhmen./Indeksonline/
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Haradinaj: Anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri pë...