Google ADS

S’ka më tolerime, Rama: Gjobitet një kompani që u kap duke hedhur mbeturina inerte në hapësira publike

18:19 | 27 Tetor 2024
E.H

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se është gjobitur një kompani e cila është kapur duke hedhur mbeturina inerte në fshatin Keqekollë, saktësisht përgjatë magjistrales Prishtinë-Prapashticë.

Me anë të një postimi në Facebook, Rama paralajmëroi se nuk do të ketë më tolerime për ata që ndotin hapësirat publike, përcjell Arbresh.info.

“Në fshatin Keqekollë, një kompani është kapur duke hedhur mbeturina inerte përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë-Prapashticë. Kjo sjellje e papranueshme është ndëshkuar menjëherë me gjobë, dhe kompania është e detyruar që brenda afateve ligjore të pastrojë hapësirën dhe ta rikthejë në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu, për pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës është vendosur gjobë shtesë”, ka shkruar Rama.

“Paralajmërojmë të gjithë ata që mendojnë të ndotin apo dëmtojnë hapësirat publike: NUK DO TË KETË TOLERIM! Çdo veprim i tillë do të ndëshkohet me gjoba të rënda dhe do të njoftohet policia për ndjekje të mëtejshme ligjore”, shtoi ai.

Tutje, i pari i kryeqytetit bëri të ditur se inspektorët janë në terren ditë e natë për të mbrojtur mjedisin tonë.

“Kërkojmë edhe bashkëpunimin tuaj – për çdo parregullësi që hasni, na kontaktoni menjëherë në numrat tanë falas: 0800 12233 ose 0800 12244. Le të mbrojmë së bashku qytetin tonë!”, tha në fund ai./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme