S’ka kuorum për shuarjen e dy agjencive ekzekutive

11:56 | 23 Shtator 2022
K.B

Në vazhdimin e seancës parlamentare nuk pati kuorum për votimin Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Arsyetimin e këtij projektligji e bëri ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku theksoi se me këtë projektligj parashihet të shuhen dy agjenci, Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe siguri Bërthamore dhe Agjencia për Efiçiencë të Energjisë.

Ministri Sveçla kërkoi nga deputetët që reformimin e administratës ta konsiderojnë si prioritet shtetëror.

“Për mes kësaj vale të dytë të racionalizimit pritet të racionalizohen dy agjenci në kuadër të degës së ekzekutivit përkatësisht Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe siguri Bërthamore, aktualisht pjesë përbërëse e Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë aktualisht pjesë përbrëse e Ministrisë së Ekonomisë. Kështu Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe siguri Bërthamore propozohet të bartet nga Zyra e Kryeministrit në ministrinë përgjegjëse për Mjedis… Sa i përket Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë, ajo propozhet po ashtu të shuhet dhe kompetencat e deritanishme të barten në strukturë organizative brenda ministrisë përgjegjëse për energji”, tha ai.

Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala ka kritikuar ekzekutivin për sa i përket shuarjes së këtyre dy agjencive.

Ai tha se Qeveria po bën veprime të gabuara.

“Ju sot me ligj po dëshironi ta riktheni përsëri atje ku ka qenë, por ta dini se po bëni një veprim retroaktiv, kthim prapa në pikën zero. Kështu dëshiroj të keni një analizë të mirëfilltë për rolin dhe funksionin që ka me pasur kjo Agjenci. Pra, mendoni që po e ktheni atje ku ka qenë dhe në pikën fillestare. Ndërsa u kisha dhënë si rekomandim miqësor ta analizoni edhe një herë qëndrimin sa i përket Agjencisë për Efiçiencë”, theksoi ai.

Deputeti nga LDK-ja Avdullah Hoti tha se përmes këtij ligji po futen të gjitha agjencitë e ndryshme në një pako.

Madje, Hoti kërkoi që Agjencia e Statistikave të Kosovës duhet të jetë sa më e pavarur.

“Është e drejtë që të insistohet në vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive, por këto agjenci nuk janë të njëjta. Sepse disa agjenci kanë nevojë t’ju rritet pavarësia funksionale. Kështu Agjencia e Statistikave duhet të largohet sa më shumë prej Qeverisë dhe puna e tyre të jetë profesionale në prodhimin e statistikave të paanshme të raporteve”, u shpreh Hoti. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme