S’ka hetim për tenderin e ‘kurdisur’ të Komunës së Suharekës

08:23 | 31 Maj 2019
Arbresh.info

Në një tender që Komuna e Suharekës e kishte zhvilluar gjatë vitit 2017 gjithçka “ishte kurdisur” për ta blerë veturën e caktuar prej rreth 30 mijë eurosh. Te kriteret e vendosura në dosjen e tenderit mungonte pa u specifikuar vetëm tipi i automjetit dhe i kompanisë që do ta fitonte tenderin. Por pavarësisht shkeljeve të shumta që kanë ndodhur në atë kohë deri më tash Prokuroria nuk ka nisur ndonjë hetim për ta zbardhur të vërteten, shkruan sot Gazeta ‘Zëri”. 

Së paku deri më tash institucionet e drejtësisë nuk kanë nisur ndonjë hetim për një tender të “kurdisur” të Komunës së Suharekës, i cili ishte zhvilluar gjatë vitit 2017 për blerjen e një automjeti të dializës për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Në dosje të tenderit që kishte përgatitur Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës vetëm emri i automjetit kishte munguar, pasi që thuajse të gjitha kriteret e vendosura në dosjen e një tenderi ishin përshtatur që të blihej një veturë e tipit “Volkswagen” (VW), e cila gjë edhe kishte ndodhur.

Në atë kohë pas dy anulimeve të këtij tenderi, i cili herën e parë ishte shpallur më 2 gusht 2017 dhe ishte rishpallur më 5 tetor 2017, Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës kishte shpallur fituese kompaninë AHP nga Prizreni për furnizim me veturë nga prodhuesi gjerman (VW), vlera e së cilës arrinte në 29.990 euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme