Qeveria e Kosovës ende nuk i ka ndarë mjetet buxhetore për organizimin e zgjedhjeve lokale në vend, derisa periudha në dispozicion kur qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit është më pak se dymujore.
Me buxhetin e vitit 2017 ishin planifikuar mbi 5 milionë euro për mbajtjen e zgjedhjeve komunale në vend, por këto mjete ishin marrë në shfrytëzim nga autoritetet vendore për t’i organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura në qershor të këtij viti.
Megjithëse po bëhen tre muaj prejse janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, ekzekutivi i vendit ende nuk e ka ndarë buxhetin e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve komunale, të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar se janë duke e përgatitur një raport përfundimtar për koston e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas tij, meqenëse zgjedhjet parlamentare nuk kanë qenë të planifikuara me buxhet, atëherë janë shfrytëzuar mjetet e ndara për zgjedhjet komunale të këtij viti.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur se do të ndahen mjetet buxhetore për zgjedhjet komunale gjatë procesit buxhetor 2017”, ka pohuar Elezi.
Sipas tij, për zgjedhjet lokale 2017 nga Ligji për Buxhet i këtij viti, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, janë paraparë 6.1 milionë euro.
Megjithatë, siç thotë ai, shuma e saktë e buxhetit të nevojshëm për zgjedhjet komunale nuk dihet pa përfunduar i gjithë procesi, pasi kjo gjë varet edhe nga komunat që do të shkojnë në balotazh.
“Kostoja e zgjedhjeve lokale varet edhe në atë se në sa komuna do ta kemi rundin e dytë, pra i balotazhit, i cili është paraparë me ligj. Vlen të theksohet se në zgjedhjet lokale të vitit 2013 janë mbajtur rundet e dyta në 25 komuna nga 38 sa janë gjithsej”, ka sqaruar Elezi.
Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se rreth 2 milionë euro të ndara fillimisht për zgjedhjet komunale, të cilat janë shfrytëzuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, do të kompensohen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë procesit buxhetor të vitit 2017e, shkruan sot, gazeta Zeri.
Për të tretin vit me radhë, Ballkani dominues në futbollin k...
Aksident në Dubravë të Suharekës, pesë persona të lënduar
Shqipëria konkretizon këtë vit kryerjen e transaksioneve me ...
Abdixhiku me telegram ngushëllimi për familjen Berisha: Kont...
Ramush Haradinaj shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ...
Roth për protestat në Serbi: Të qëndrojmë për liri dhe demok...