Mjediset me shumicë serbe në Kosovë po mbeten pa dinarë.
Kështu së paku thonë disa qytetarë në jug dhe në veri të Lumit Ibër, të cilët provuan të tërheqin para nga llogaritë e tyre, të martën.
Institucionet, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, heshtin.
Mira nga Graçanica – komunë me shumicë serbe afër Prishtinës – nuk arriti të merrte ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë, sepse punonjësit në postë i thanë se nuk ka para.
Kjo zyrë postare punon nën sistemin e Serbisë dhe aty mund të tërhiqen të ardhura në dinarë, të cilat ndahen nga buxheti i Serbisë.
“Nuk kam marrë asgjë. Kam ardhur t’i marr [të ardhurat], por nuk m’i kanë dhënë. Çfarë të bëj tani?”, thotë Mira për REL-in dhe tregon se jetesa e familjes së saj varet prej këtyre parave.
Ndihma sociale nga sistemi serb arrin në rreth 11 mijë dinarë, ose 100 euro për një anëtar të familjes.
Mira thotë se nuk merr asnjë kompensim financiar nga buxheti i Kosovës dhe shpreson që çështja e përdorimit të dinarit në Kosovë të zgjidhet së shpejti.
Mungesa e dinarëve në Graçanicë ndodh pasi autoritetet e Kosovës, më 13 shkurt, ndaluan për herë të dytë hyrjen e tyre, me arsyetimin se për këtë çështje vendos Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Përndryshe, më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila përcakton se euroja është valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë dhe për transaksionet e pagesave.
Me këtë rregullore është ndaluar edhe dinari serb, i cili deri më tash ka qarkulluar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sepse qytetarët serbë, në këtë valutë, kanë pranuar pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë: rroga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë e të tjera.
Rregullorja e BQK-së për valutën
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bën euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë.
Ajo nxiti reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia që nga paslufta më 1999.
Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që ta shtyjë, derisa qytetarët të informohen më mirë.
BQK-ja tha se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Punëtorët e postës në Mitrovicë të Veriut u thonë po ashtu klientëve të tyre se nuk kanë para për pagesa, konfirmon Radmilla, një tjetër përfituese e ndihmës sociale nga sistemi i Serbisë.
Megjithatë, ajo arriti t’i tërhiqte paratë nga Kursimorja e Postës e Serbisë, e cila gjithashtu funksionon nën sistemin serb dhe, aktualisht, është banka e vetme në Kosovë që operon me dinarë.
“Mua më duhen paratë për insulinë, për barna. Shkoj në postë dhe nuk ka para [për ndihmën sociale që marr]. Por këtu [në Kursimoren e Postës) arrita t’i tërheq paratë, për fat të mirë”, thotë Radmilla.
Pagesa të kufizuara edhe në euro?
Në Kursimoren e Postës në Mitrovicë të Veriut, Gorica mori vetëm shtesat për fëmijë në vlerë prej rreth 10 mijë dinarësh, ose 90 eurosh.
“Më thanë të vij nesër në mëngjes për të marrë ndihmën sociale”, thotë Gorica.
Ajo druan se, në të ardhmen, do t’i duhet të shkojë në Rashkë të Serbisë për t’i marrë përfitimet që i takojnë.
Te Kursimorja e Postës, ekipi takoi të martën edhe Aleksandrin, i cili kishte shkuar për të marrë rrogën.
Sipas tij, punonjësit e Kursimores së Postës i informojnë klientët e tyre se mund të tërheqin 10 mijë dinarë, apo 100 euro, gjatë ditës.
“Do të shohim se si do të shkojë”, thotë ai.
Kursimorja e Postës u pyet nëse pagesat në Kosovë bëhen edhe në euro dhe nëse pagesat janë të kufizuara në një shumë të caktuar parash, por nuk dhanë përgjigje.
Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se punëtorët e shëndetësisë dhe arsimit i marrin pagat në dy pjesë, përkatësisht më 6 dhe 21 të muajit.
Përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore, në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë edhe institucione të tjera të Serbisë, punëtorët e të cilave paguhen po ashtu me dinarë.
Një prej tyre është Dragana nga Graçanica, e cila, siç thotë, do të shkojë në Serbi për të marrë rrogën e saj.
“Kur më duhet, shkoj atje [në Serbi]. Nuk mund ta tërheq këtu, sepse rrogën e marr përmes Kursimores së Postës dhe nuk ka dinarë. Herë shkoj në Kralevë, herë në kufi… në Jarinjë gjendet Kursimorja e Postës”, thotë Dragana.
Asnjë zgjidhje në horizont
Posta e Serbisë, Kursimorja e Postës dhe Banka Popullore e Serbisë u pyetën se si do të zgjidhet problemi i mungesës së dinarëve në Kosovë, por nuk dhanë përgjigje.
As Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj pyetjes nëse periudha e ashtuquajtur e tranzicionit parasheh pagesën e përfitimeve financiare nga buxheti i Serbisë në dinarë.
Prishtina zyrtare këmbëngul në një komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet përgjegjëse të Serbisë, për të gjetur një zgjidhje sa i përket pagesës së përfitimeve monetare nga buxheti i Serbisë, por Beogradi zyrtar refuzon dhe kërkon që çështja të ngrihet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Më 18 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha TV Prva-s në Beograd se nuk e di se cila është zgjidhja për përdorimin e dinarëve në Kosovë, e as si do të paguhen kompensimet monetare.
“Kur ta di, do ta informoj opinionin”, tha ai.
Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për Bloomberg-un se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Ai përsëriti se rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.
Banka Qendrore e Kosovës njoftoi më 12 shkurt se faza e tranzicionit për zbatimin e rregullores së saj, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Për vite me radhë, Banka Popullore e Serbisë dërgoi dinarë në kasafortën e saj në komunën e Leposaviqit – pjesa veriore e Kosovës. Prej aty, kompania ndërkombëtare, Henderson, i transportonte ata nëpër institucionet financiare që operonin nën sistemin serb, të tilla si Posta e Serbisë apo Kursimorja e Postës.
Por, BQK-ja thotë tani se kjo praktikë është e kundërligjshme, sepse vetëm ajo mund të eksportojë dhe importojë monedha dhe kartëmonedha në territorin e Kosovës.
Çështja e dinarit arrin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës
Ndërkohë, një ekip avokatësh serbë dorëzoi një kërkesë te Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, për shkak të, siç u tha, “efektit të dëmit që iu shkaktua qytetarëve”.
Avokatët kërkuan, po ashtu, pezullimin e rregullores.
Njëri prej tyre i tha portalit lokal në gjuhën serbe, Kossev, se rregullorja e BQK-së shkel të drejtat themelore të njeriut, përkatësisht për pronën, punën, profesionin, shëndetin dhe mbrojtjen sociale.
Grupi i avokatëve tha se zbatimi i rregullores është diskriminues, sepse prek, para së gjithash, komunitetin serb në Kosovë dhe nuk ka pasur konsultime paraprake me komunitetin e prekur.
Edhe bashkësia ndërkombëtare u shpreh e shqetësuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës dhe t’i rrisë tensionet etnike.
Për rrjedhojë, autoriteteve të Kosovës iu kërkua që ta shtyjnë zbatimin e saj.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha më 15 shkurt se vendimi për të ndaluar dinarin serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.
Edhe ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, tha më 13 shkurt se Qeveria e Kosovës vuri në pikëpyetje partneritetin e saj me SHBA-në, për shkak të vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...