S’ka buxhet për autostradën Prishtinë-Gjilan, Lekaj kërkon sqarim nga Hamza

19:31 | 18 Tetor 2017
M. A.

Rishikimi i buxhetit që do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës nuk e ka përfshirë edhe autostradën Prishtinë-Gjilan e paraparë të nis këtë vit. Është vet ministri i Financave, Bedri Hamza i cili ka konfirmuar se është hequr nga buxheti autostrada për Gjilan dhe i njëjti ka sqaruar arsyet e shkurtimit të buxhetit nga 2 miliardë në 1.8 miliard.

Por ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i siguron qytetarët e Gjilanit se ky projekt do të materializohet me fillim nga viti i ardhshëm.

Në një bisedë për Indeksonline, Lekaj ka thënë se ministria që ai drejton nuk e ka lëvizur projektin.

“Ajo është njëra nga projektet të cilat nëse nuk e kthen në rivlerësim OSHP-ja do të procedohet tutje me të”, ka thënë Lekaj duke shtuar se kjo gjë nuk do të pengohet nga ta.

Ministria e Infrastrukturës ashtu si e tërë qeveria dhe kryeministri i saj, Ramush Haradinaj, sipas Lekajt janë të interesuar që ky projekt të ndodhë dhe posa të përfundojnë procedurat që nuk janë më të Ministrisë por të organeve tjera, ne do të veprojmë konform ligjit dhe sipas nevojave të qytetarëve, në këtë rast të Anamoraves.

“Pra ne nuk do ta pengojmë edhe përkundër se për të janë të zotuara vetëm 1.2 milionë euro, nga 90 milionë sa kushton gjithsej”, ka shtuar tutje ai.

Sipas Lekaj, shpejtë do të kuptohet edhe arsyeja e tërheqjes së buxhetit.

“Ne do të bisedojmë me ministrin Hamza dhe do të kuptojmë pas takimit arsyen pse është tërhequr buxheti”, ka përfunduar Lekaj.

Është pikërisht ministri Lekaj i cili kishte konfirmuar mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj për realizimin e projekteve madhore siç është edhe autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Të njejtën bindje e ka edhe i pari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Me ministrin Lekaj i koordinuam punët e përbashkëta që lidhen me infrastrukturën në kuadër të punës që e kemi bërë në Komunë këto katër vite. Nga ana e qeverisë është njoftuar lidhur me infrastrukturën në Gjilan dhe Anamoravë, veçanërisht për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, që e lidhë me korridorin e autostradës së Shkupit dhe me korridorin e Autostradës së Kombit. Po ashtu, biseduam për vazhdimin e ndërtimit të hyrje-daljet e qytetit, dhe Rrugën e Kumanovës”, ka thënë Haziri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme