Google ADS

“S’ka as çarçafë”: Kimioterapi në sallë të improvizuar të Hematologjisë

12:12 | 8 Korrik 2024
A Z

Pacientët me kancer në Klinikën e Hematologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës përballen me kushte të rënda në sallën e improvizuar të kimioterapisë.

Shumë prej tyre trajtohen edhe në një korridor të errët pranë, pa dritare, që kundërmon erë nga tualeti.

“Dera nuk mbyllet… Djali im duhet të rrijë aty kur unë hyj në tualet”, thotë Serie Plakolli, e sëmurë nga kanceri në gjak.

Në ditët kur trajtohet me kimioterapi thotë se i duhet të qëndrojë aty së paku katër orë – nganjëherë edhe më gjatë.

“Nuk ka kondicioner, as çarçafë për dyshekët”, thotë ajo.

Në mungesë të hapësirave në Hematologji, pacientët me kancer janë zhvendosur në katin përdhesë të ndërtesës, përkatësisht në sallë të destinuar për ushtrime dhe ligjërata të studentëve.

Vetëm ata që duhet të marrin kimioterapi më gjatë se disa orë në ditë, shtrihen në repartin e klinikës.

Aty ku jepet terapia ditore, janë 12 shtretër.

“Tash për tash jemi këtu. E dimë që ka mungesa të shumta, por këto janë kushtet tona”, thotë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës së Hematologjisë, Suzana Krasniqi.

“Tash ka nisur ndërtimi i objektit të ri të klinikës dhe derisa të kryhet, do të jemi këtu”, shton ajo.

Në muajin maj, në oborrin e QKUK-së është vënë gurthemeli i Klinikës së Hematonkologjisë dhe Nefrologjisë.

Se kur do të përfundojë, nuk është e qartë. REL-i e kontaktoi Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për këtë temë, por udhëheqës të tij nuk ishin të qasshëm.

Sipas një përshkrimi nga Klinika Mayo në SHBA, kimioterapia mund të shkaktojë edhe efekte të konsiderueshme anësore dhe jepet kryesisht në njësi kimioterapie ambulatore.

Situata në Hematologji në QKUK është kështu me muaj të tërë. Në pesë të fundit e përjetoi edhe Y.M. Kjo grua nga Prizreni është duke u trajtuar për një lloj të kancerit në gjak dhe gati çdo javë i duhet të udhëtojë afro 90 kilometra për të arritur në Prishtinë.

Të gjithë pacientët që kanë nevojë për kimioterapi referohen në QKUK, pasi është i vetmi institucion shëndetësor në Kosovë që e ofron këtë shërbim.

“Të gjithë mbiemrat që janë më të këqij, mund t’i përdorësh për kushtet këtu [në Hematologji]. Është tmerr”, thotë Y.M.

“Nuk ka ajër të pastër, nuk ka kondicioner. Temperaturat janë të larta, e shpesh duhet të qëndroj pesë orë”, tregon ajo.

Në ditën kur ekipi i REL-it vizitoi këtë klinikë, javën e fundit të qershorit, pa se disa pacientë merrnin kimioterapi edhe ulur në karrige, për shkak të mungesës së shtretërve të lirë.

Arsim Podrimja nga Drenasi, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, kishte sjellë atë ditë në spital nënën tij, për të marrë dozën e gjashtë të kimioterapisë kundër kancerit. Tha se përveç kushteve të rënda, edhe pritjet janë shumë të gjata.

“Në orën 7:30 kemi ardhur këtu e deri në 9:30 nuk kanë nisur t’ia japin terapinë. Por, duhet ta zëmë vendin. Para orës 14:30 nuk do të mund të dalim nga këtu”, tha ai.

Pavarësisht vështirësive, shërbimet vazhdojnë.

“Jemi në shërbim të pacientëve aq sa kemi mundësi”, thotë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Hematologjisë, Suzana Krasniqi.

Sipas të dhënave të kësaj klinike, vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 203 raste të reja me kancer. Mesatarisht në muaj, shërbime marrin mbi 270 pacientë.

Në maj të këtij viti është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen vetëm pacientë me lloje të ndryshme të kancerit.

Por, me vetëm 60 shtretër, edhe aty ka shpesh pritje të gjata.

Me sfidat e pritjes përballen edhe pacientë të klinikave të tjera të QKUK-së, ashtu si edhe me kushte të rënda.

“Nuk kemi se çka të bëjmë ne si staf. Ne e japim maksimumin për t’i ndihmuar pacientët”, thotë një infermiere në Hematologji, e cila kujdeset për rreth dhjetë pacientë në ditë.

 

Të ngjashme