Google ADS

Sivjet 9 vdekje në vendet e punës

09:23 | 16 Qershor 2017
Arbresh.info

Prej janarit 2017 e deri më tani në vendet e punës kanë vdekur 9 persona, numër ky në rritje për dallim nga viti i kaluar, kur gjatë tërë vitit kishin ndërruar jetë në vendet e punës po kaq punëtorë, raporton RTK

Nëntë persona kanë vdekur sivjet në vendet e tyre të punës. Ky numër ka shënuar rritje për dallim prej vitit të kaluar. Valon Leci, inspektor i punës, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, ka thënë se ky është një lajm i keq për faktin se derisa vetëm për këta muaj kemi pasur gjatë këtij viti nëntë vdekje në vendin e punës, gjatë tërë vitit të kaluar kanë ndodhur 9 raste të vdekjeve në vendet e punës.

Leci, ka thënë se megjithatë Inspektorati i Punës ka punuar maksimalisht çdo ditë pune që të ketë repsekt sa më të madh të të drejtave të palëve në vendet e tyre të punës.

“Nuk mund shumë të jemi aq të kënaqur për shkak të aksidenteve që po ndodhin në vendet e punës. Por situata nuk është shumë dramatike”, ka thënë ai, duke bërë me dije se gjendja është më e mirë se në vendet e rajonit.

Inspektori Leci, ka thënë se Inspektorati nuk ka përdorur gjithnjë gjobat si mekanizëm për vetëdijësimin e kompanive, por kjo sipas tij, nuk nënkupton që të amnistohen shkeljet.

Janë shqiptuar rreth 80 gjoba për kompani të ndryshme. “Shumat janë deri në 35 mijë euro”, ka thënë ai.

Së fundi, tha ai, po mbahet një konferencë vetëdijësuese “Paketa e re legjislative nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë”, e cila sipas tij, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Inspektori ka thënë se numrat e atyre që duan të parashtrojnë ankesat e tyre janë në ueb faqe. Aty është numri pa pagesë ku palët mund të ankohen për të drejtat e tyre në punë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme