Policia e Kosovës ka rritur gatishmërinë pas zhvillimeve të fundit në veri.
Nga orari prej 8 orësh punë, Policia e Kosovës ka vendosur që ky orar të zgjatet deri në 12 orë.
Dhe kjo vlen jo vetëm për Njësinë Speciale, por edhe për pjesëtarët tjerë të policisë.
Burime të brendshme për arbresh.info kanë treguar se orari i zgjatur i policisë, paguhet.
Arbresh.info ka dërguar pyetje lidhur më këtë çështje tek Policia e Kosovës, por nuk ka kthyer përgjigje.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala për arbresh.info thotë se shujta që e marrin zyrtarët policorë nuk i përmbushin nevojat ushqyese për një orar pune të stërzgjatur
“Në lidhje më shujtën që marrin zyrtaret policor në planet e veçanta operative mund të themi që nga kualiteti nuk përmbush nevojat ushqyese për një pune 12 apo 24 orësh”, tha Shala për arbresh.info.
Ai, thotë se vetëm Njësitë Speciale e kanë ushqimin më kriteret minimal, e njësitë tjera relevante nuk kanë materie ushqyese që i duhen.
“ Pra, në këtë aspekt vetëm pjesëtaret e njësive speciale e kanë në një formë ushqimin me kriteret minimal, ndërsa njësitë tjera relevante që angazhohen si ata të rendit apo kufirit, nuk kanë atë që munden me u kompensuar në materie ushqyese që i duhet”, është shprehur tutje Shala.
Aktualisht, institucionin kryesor të sigurisë e udhëheq ushtruesi i detyrës Fehmi Hoti, pasi tre muaj më parë drejtori i atëhershëm i policisë, Samedin Ahmeti kishte dhënë dorëheqje.
Javë më parë portali arbresh.info ka raportuar se si Policia e Kosovës akoma nuk ka një “zot’ shtëpie.
Atë kohë nga Ministria e Brendshme e Kosovës nuk kishim arritur që të merrnim ndonjë përgjigje se kur do të emërohet drejtori i ri.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është deklaruar në lidhje me emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Edhe pse kanë kaluar rreth dy muaj nga hapja e aplikimit për drejtor të përgjithshëm, ministri Sveçla tha se nuk konsideron se ka mungesë apo ngecje brenda Policisë së Kosovës, por se përkundrazi janë të gjithë në kryerje të detyrës në përkushtim.
“Ndonëse me ushtrues detyre nuk konsideroj se ka ngecje brenda policisë së Kosovës, përkundrazi gjithë zyrtarët policorë janë në nivel të lartë të detyrës me përkushtim e disiplinën duke zbatuar misionin e tyre. Pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës është ndër funksionet më të rëndësishme në vendin tonë. Që nga marrja e mandatit jemi angazhuar që jo vetëm brenda Policisë, por në të gjitha institucionet të ketë profesionalizëm e integritet. Unë tashmë besoj se faza e aplikimit të aplikacioneve është mbyllur, tani jemi në proces të formimit të Komisionit që do të merret me fazat e tjera”, u shpreh Sveçla.
Kujtojmë se situata është tensionuar në veri të Kosovës pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
Nga 1 nëntori ka filluar që të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, t’iu shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.
Që prej 1 nëntori situata në Veri të Kosovës është e tensionuar, dhe kjo ka ndikuar që të zgjatet edhe orari i punës për policët.
Ndërsa nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.
Në muajin shkurt të vitit 2023, Policisë së Kosovës do t’i shtohen edhe 438 kadetë të rinj, të cilët janë duke kryer trajnimet themelore deri te diplomimi. /Kujtesë Berisha/arbresh.info/
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...