Google ADS

Sistemi online i gjobave të trafikut ende me probleme teknike

12:54 | 15 Korrik 2018
Arbresh.info

Lansimi i ueb-faqes së Policisë së Kosovës për publikimin e gjobave në trafik, po vazhdon të ketë probleme teknike.

Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili i ka ftuar qytetarët që t’i përmirësojnë gabimet duke i dërguar fletëpagesat në stacione policore. Njohës të teknologjisë informative thonë se me këtë platformë, të dhënat personale të qytetarëve janë të mbrojtura.

Platforma online e Policisë së Kosovës për publikimin e gjobave të trafikut të shqiptuara ndaj qytetarëve të vendit, vazhdon të kenë gabime edhe një javë pas lansimit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Radio Kosovën edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili i ka ftuar qytetarët që vetë t’i përmirësojnë gabimet.

“Në mungesë të një sistemi të unifikuar të të gjitha institucioneve, si policia, gjykatat, bankat, ekziston edhe mundësia e shfaqjes së ndonjë mosevidentimi i pagesave në kohë optimale që realizohet nga qytetarët. Në rastet kur ndonjë gjobë ka mbetur pa u futur në sistem, atëherë u kemi bërë ftesë qytetarëve që t’i vizitojnë stacionet më të afërta policore dhe të kontrollojnë a është shlyer tiketa e tyre, gjoba e tyre nga sistemi”, tha ai.

Mirëpo, njohësi i teknologjisë informative, profesori universitar, Blerim Rexha, thotë se ueb-faqja duhet të ofrojë mundësi që qytetarët të kenë mundësi t’i ngarkojnë të dhënat online, duke ua lehtësuar edhe atyre përmirësimin e gabimeve në këtë aspekt.

“Policia e Kosovës duhet urgjentisht për ata qytetarë që u figurojnë gjobat në sistem, të cilat ata i kanë paguar por policia nuk i ka freskuar ato shënime, të ofrojë mundësi që qytetarët përmes kësaj ueb-faqe t’i ngarkojnë dëshmitë përkatëse që i kanë gjobat e paguara. Për momentin është vetëm kjo pikë shtesë që duhet t’i shtohet këtij aplikacioni, sepse aplikacioni është sikur aplikacionet evropiane”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve, profesor Rexha ka thënë për Radio Kosovën se ueb-faqja është e teknologjisë së fundit sa i përket mbrojtjes së të dhënave.

“I vetmi shqetësim është se këtu mundën edhe personit të tjerë për palët e tjera t’i verifikojnë gjobat, por assesi që këto gjoba ose këto shënime të merren dhe të keqpërdoren nga të tjerët.”

Rexha ka thënë se i ka dhënë edhe si rekomandim institucionit të Policisë së Kosovës që të ofrojnë një kartelë biometrike, me të cilën qytetarët do të kishin qasje në të dhënat personale nga çfarëdo vendi./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme