Google ADS

Sindikata thotë se ka mungesë të madhe të punëtorëve në aeroport

09:12 | 13 Gusht 2021
S D

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi, tha se largimi i punëtorëve i cili ka ndodhur kohë më parë, ka bërë që puna dhe problemet nga më të ndryshmet të shtohen tek aeroporti.

Ai deklaroi se menaxhmentin e kanë paralajmëruar disa herë që të kthejnë punëtorët e larguar, pasi kjo vetëm sa do iu sjell pengesa dhe probleme në punë si mungesë e stafit.

“Po na qysh më herët menaxhmentin e kemi paralajmëruar që do ndodh kjo gjendje, pasi në Aeroport pas grevave punëdhënësi jonë ka larguar 100 punëtorë prej punës, dhe tash është një numër i vogël i stafit dhe ne me shkresa vazhdimisht e kemi paralajmëruar që do ketë tollovi të mëdha, sepse bashkatdhetarët tanë nuk kanë qenë që dy vite në Kosovë, kurse me ardhjen e tyre e kemi ditur që edhe do kthehen edhe këto probleme”, tha Latifi.Mes tjerash Latifi thotë se faji kryesor qëndron tek menaxhmenti i Limak-ut ku edhe ka dështuar në pritjen dhe organizimin e bashkatdhetarëve.

“Ndodhi ajo se çfarë ndodhi, sepse ne gjatë kësaj periudhe kemi edhe punëtorë të lënduar prej presionit të madh për të kryer punën, dhe kemi pasur punëtorë të cilët i kemi lajmëruar në inspektoriat. Ndodhi edhe lajmi fizik ku një bashkatdhetarë ka lënduar një punëtorë tonin duke menduar që ai është fajtori kryesor, por adresa është shumë e qartë që faji është tek menaxhmenti i Limak, ku ka dështuar në organizimin dhe pritjen e bashkatdhetarëve”, theksoi tutje ai.

Tutje, ai bën thirrje tek mërgimtarët për tolerancë, dhe në anën tjetër edhe tek menaxhmenti që urgjentisht të kthejë punëtorët e larguar nga puna, të cilët padrejtësisht u është mohuar kjo e drejtë.

“Bashkatdhetarëve tonë iu bëj apel që të jenë të mirëkuptueshëm që të jenë tolerant dhe të kujdesshëm sepse faji nuk është i punëtorëve, dhe kërkesa tjetër është drejtuar menaxhmentit, urgjentisht të kthej punëtorët e larguar padrejtësisht prej pune, të plotësoj stafin dhe t’i kthehemi normaliteti pasi jemi të shqetësuar me të ardhmen ku mund të ndodh edhe një katastrofë më e madhe”, përfundoi ai./EO

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme