Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri si dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kanë kërkuar ndërprerjen e grevës së personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive në vend.
Punëtorët administrativë, që nga 4 korriku kanë hyrë në grevë të përgjithshme, ku ndër kërkesat kryesore të tyre, është rritja e pagave për 100%.
Kërkesën për ndërprerjen e grevës, ministri Tahiri dhe kryesuesi i KGJK-së, e kanë bërë gjatë një takimi, që kanë zhvilluar pasditen e së martës me përfaqësuesit e këshillit grevist.
Në këtë takim, ka marr pjesë edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi.
Pas takimit, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ministri Tahiri ka thënë se pret që grevistët ta ndërpresin grevën, duke shtuar se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre.
“Unë besoj që shumë shpejt do të arrijmë një zgjidhje në këtë situatë, kërkesat e tyre janë legjitime, por besoj që jemi në një rrugë të drejtë për me i adresu këto kërkesa dhe besoj që kërkesa ime do të hasë në mirëkuptim dhe në dy javët e ardhshme do të adresohen të gjitha këto”, tha Tahiri.
Sipas ministrit Tahiri, Ligji për Pagat do të jetë adresa më e mirë e cila do të bëj zgjidhje për kërkesat e grevistëve.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka shkop magjik me gjet këtë zgjidhje, normalisht që Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jep drejtim, por normalisht që unë si ministër i Drejtësisë e adresoj dhe do të merrem për këtë çështje, tash e kemi Ligjin për Pagat që në dy javët e ardhshme do të miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nuk ka adresë më të mirë sesa me adresu këtë në Ligjin për Paga”, u shpreh ministri Tahiri.
Kurse, kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi ka thënë se ai ka kërkuar nga grevistët që të pezullohet greva në mënyrë që të merren me kërkesat e tyre.
“Unë si kryesues i KGJK-së kam biseduar me këshillin grevist, por edhe me stafin e administratës se Gjykatës Themelore, të Apelit dhe të Supremes dhe kam kërkuar nga ata qe përkohësisht ta pezullojnë grevën e qellim qe te na jepet kohë neve që të merremi me kërkesat e tyre. Ne përsëri së bashku me ministrin Abelard Tahirin jemi takuar me këshillin grevist dhe me gjithë stafin e administratës së kësaj gjykate dhe jemi ne bisedime te vazhdueshme për një zgjidhje të pranueshme për daljen nga kjo situatë”, tha Idrizi.
Kryesuesi i këshillit grevist të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Shala tha pas takimit se ministri Tahiri, përpos Ligjit për Pagat, nuk ishte i gatshëm të ofronte asnjë zgjidhje që do të ndikonte në ndërprerjen e grevës.
Por, pavarësisht kërkesave të ministrit Tahiri, kryesuesit Idrizi si dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për pezullimin e grevës, Shala ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se greva e tyre do të vazhdojë.
“Sigurisht që ne nuk pranuam dhe sigurisht vendosëm që si këshilli grevist që greva që ka filluar me 4 korrik të vazhdon. Unë i kom bo me dije edhe Ministrisë dhe mediave, unë gjithherë kam deklaruar numrin e seancave qe kanë humbur, dhe kjo është një humbje e madhe edhe për qytetaret edhe për shtetin e Kosovës. Te shohim, sot e kësaj dite kush do të merret me këtë punë, pak ma seriozisht të shohim çka po ndodh”, ka thënë Shala.
Punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive në vend, që nga 4 korriku kanë hyrë në grevë të përgjithshme, ku ndër kërkesat kryesore të tyre është rritja e pagave për 100 % për këtë kategori dhe rregullimi i statusit të tyre.
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...
Raportohet se Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Katër ushqime mund të ulin kolesterolin e lartë, pohon një n...
Kosova e mbyll me fitore ndaj Lituanisë kampanjën në Ligën e...
Rikthehet historia me Atillën, Drenusha: Nuk kam ardhur të l...