Google ADS

Sinani: Tirana dhe Prishtina të hartojnë një plan të përbashkët ndërqeveritar për Luginën e Preshevës

10:20 | 16 Maj 2021
Përparim Bublaku

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se Tirana dhe Prishtina duhet të hartojnë një strategji të përbashkët ndërshtresore për Luginë  e Preshevës.

Ajo në një intervistë për Arbresh.info, ka thënë dy shtetet duhet të hartojnë një plan të përbashkët ndërqeveritar për Luginën e Preshevës.

Sinani ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.

“Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme  midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, dhe si temë, edhe përmes pranisë fizike të të zgjedhurve të Luginës së Preshevës”, ka thënë ajo.

Sinani e cila është zgjedhur kryetare e Preshevës më 10 maj, ka premtuar reforma në këtë komunë, duke theksuar se zgjedhja e një femre në krye të kësaj komune është hapi i parë I reformës.

Ajo poashtu ka përmendur si top prioritete, ndihmën për bujqit, bizneset, qeverisje transparente dhe shërbime për qytetarët.

 Arbresh.info: Cilat janë planet e juaja si kryetare e Preshevës?

Sinani: Planet e mia si kryetare është që gjatë mandatit tim t’i vendos themelet e një qeverisje lokale moderne, reformatore dhe zhvillimore. Një hap i tillë i parë është bërë tashmë me faktin se sot jemi një nga komunat e pakta në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka një grua për kryetare. Kjo nuk është e një rëndësie të vogël, meqë nga një komunë me një ambient të kontaminuar lokal politik, të dominuar nga një pushtet lokal arrogant me gjuhë urrejtje, gjuhë seksiste, shpifje, fyerje e lajme të rreme; tanimë jemi në listën e komunave më të emancipuara politikisht. Ky është ndryshim i madh progresiv. Në këtë aspekt tashmë jemi model pozitiv referues edhe për komunat e tjera në rajon.

Arbresh.info: A mund të thoni se cilat janë prioritetet me të cilat do të merreni?

Sinani: Paralelisht me konsolidimin e qeverisjes së re, ne do ta angazhojmë një revizor profesional dhe të pavarur, për të shqyrtuar sesi janë shpenzuar mjetet e buxhetit publik nga qeverisja pararake. Është me rëndësi t’i qartësojmë dyshimet e shumta për korrupsion dhe keqpërdorime të parave të taksapaguesve tanë.

Së dyti do të fillojmë me realizimin e zotimeve të fushatës sonë parazgjedhore në katër segmente prioritare e themeltare:

  1. Bizneset, Bujqësia dhe Blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin
  2. Administratë për gjithë – administratë që qeverisë në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin
  3. Ujin dhe mbeturina – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës
  4. Hapësira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët

Këto janë pikat programore që garantojnë një Preshevë më të zhvilluar, më të pastër, me më shumë barazi, më të bukur, e më dinjitoze.

Arbresh.info: Në fjalimin tuaj në Kuvend, keni thënë se Presheva është komunë e diskriminuar, si do ta ndryshoni këtë gjë?

Sinani: Sado me probleme të ngjashme, komuna jonë nuk është komunë e zakonshme si komuna e Surdulicës në Serbi, Kamenicës në Kosovë ose Kriva Pallankës në Maqedoninë e Veriut. Komuna jonë është para së gjithash komunë e shtypur. Komunë e diskriminuar. Komunë e nëpërkëmbur. Kjo vetëm sepse shumica e qytetarëve e komunës sonë kanë etni, gjuhë, kulturë ose religjon tjetër.

Tashmë edhe qeverisjet lokale të Preshevës dhe Bujanocit, edhe Këshilli Kombëtar, edhe shumica e deputetëve shqiptarë të Luginës, kanë qëndrime të unifikuara karshi pushtetit autoritar dhe nacionalist të Beogradit, që po shtyp dhe diskriminon kombëtarisht dhe socio-ekonomikisht Luginën e Preshevës. Do ta dinamizojmë bashkërendimin dhe bashkëveprimin midis nesh në përputhje me Platformat dhe Deklaratat Politike, ku i kemi të parashtruara problemet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shteti i Serbisë po dëshmon se nuk do integrim të shtetasve të saj shqiptarë. Beogradi zyrtar duket më e interesuar t‘i përjashtojë ata. Tri marrëveshjet e nënshkruara me Beogradin nga ana e të zgjedhurve shqiptarë kanë qenë të sponsorizuara dhe mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare, por, mjerisht, bashkësia ndërkombëtare nuk ka lëvizur më tepër sesa përkrahje verbale ndaj kërkesave tona. Është lënë në harresë pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Prandaj, kërkesat tona në vazhdimësi po i adresohen, veç Beogradit, edhe mekanizmave ndërkombëtarë. Është inkurajues fakti, që pas një heshtje disa vjeçare, më në fund bashkësisa ndërkombëtare ka filluar që në raportet zyrtare (Raporti i progresit për Serbinë më 2020, Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe Raporti i State Departamentit për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Serbi për 2020) jo vetëm përmendë, por edhe kërkojnë zgjidhje nga Beogradi zyrtar për problemet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Arbresh.info: Shqiprim Arifi ju ka akuzuar se jeni zgjedhur kryetare me pazare politike, si e komentoni këtë?

Sinani: Unë jam zgjedhur kryetare e Komunës me votën e shumicës në Kuvendin e Komunal të Preshevës, në bazë të një marrëveshje transparente politike me partnerët e sotëm bashkëqeverisës. Ndryshe nga pushteti i Shqiprim Arifit që varej drejtpërdrejtë nga dy këshilltarët të SNS së Vuçiqit dhe SPS së Daçiqit në një komunë me 97% shqiptarë, tashmë Presheva ka shumicë parlamentare shqiptare dhe është një nga të paktat komunat e vendit që nuk është nën kontrollin e pushtetit absolut dhe autoritar të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Ky është dallim i madh dhe substancial midis qeverisjes së Shqiprim Arifit dhe qeverisjes sime. Sot partia e Shqiprim Arifit është partnere opozitare me SNS e Vuçiqit dhe SPS e Daçiqit ndaj dy qeverisjeve me shumicë shqiptare në kuvendet komunale të Bujanocit dhe të Preshevës. Besoj se do të ishte më mirë edhe për vetë partinë e Shqiprim Arifit e sidomos më mirë për Luginën e Preshevës, që ai të fillojë të distancohet nga ky partneritet politik dhe të përafrohet me partitë vendore shqiptare të Luginës së Preshvës.

Arbresh.info: Çfarë prisni nga Shqipëria dhe Kosova, në fakt cilat janë kërkesat ndaj tyre?

Sinani: Ne besojmë se Lugina e Preshevës duhet të ketë trajtim të veçantë institucionalë në bazë të një strategjie të përbashkët ndërshtetërore nga autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, për shkak të proceseve politike që priten të zhvillohen lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane. Serbia ka organ të veçantë qeveritar për Luginën e Preshevës: Trupin Koordinues. Pse mos ta ketë edhe Prishtina dhe Tirana një mekanizëm të ngjashëm që do ta hartonte  një plan dhe një program të përbashkët ndërqeveritarë për Luginën e Preshevës.

Arbresh.info: Kosova dhe Serbia janë në një proces të dialogu, vazhdimisht është thënë se në këtë proces duhet shtruar çështja e Luginës së Preshevës. Çfarë do të kërkoni nga kryeministri i Kosovës të bënte për ju në këtë proces?

Sinai: Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme  midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës. Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, dhe si temë, edhe përmes pranisë fizike të të zgjedhurve të Luginës së Preshevës./ arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme