Radio Evropa e Lirë: Zoti Simiq, Lista Serbe edhe më herët ka konfirmuar se formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, është nevoja kryesore e bashkësisë serbe në Kosovë. A është duke u punuar për të?
Igor Simiq: Është fakt që e dinë të gjithë se Bashkësia e komunave serbe paraqet obligimin, të cilin Prishtina e ka marrë mbi vete me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013. Në javët e fundit kemi pasur rastin të dëgjojmë se procesi i formimit të Bashkësisë së komunave serbe do të nisë. Kjo dëgjohet shpesh nga zyrtarët e Prishtinës vetëm pas insistimit të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë ose të atyre që vijnë në Kosovë.
Gjithashtu, marrim informata se lidhur me këtë, duhet të hapet një lloj debati. Lista serbe konsideron se nuk ka më bisedime për formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Ka qenë e mjaftueshme që në Bruksel të nënshkruhet marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ka përfshirë formimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas kësaj edhe marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, kur është definuar se çfarë është ajo që duhet të përmbajë Bashkësia e komunave serbe dhe me çka duhet të merret ajo.
Ne, në Listën Serbe, konsiderojmë se nuk ka më vend për bisedime dhe që është e nevojshme që të shihen rezultatet konkrete dhe proceset që çojnë kah formimi i Bashkësisë së komunave serbe, në atë mënyrë se si është arritur pajtimi në Bruksel dhe jo ashtu siç po përpiqet dikush që ta paraqesë në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Çka nëse Qeveria e Kosovës nuk shkon tutje në drejtim të formimit të Bashkësisë?
Igor Simiq: Unë mendoj që kjo qeveri në Kosovë është vendosur që të fillojë t’i zgjidhë problemet e të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të serbëve dhe jo vetëm kur bëhet fjalë për formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Unë pres që edhe çështja e Bashkësisë së komunave serbe shumë shpejt do të gjendet në rend të ditës. Po e përsëris sërish që mendoj se porositë e përfaqësuesve ndërkombëtarë janë mjaft të qarta për këtë çështje.
Pra, nuk ka më vend për justifikim dhe nuk ka vend që t’i iket formimit të Bashkësisë së komunave serbe. Lista Serbe, brenda institucioneve nuk do të jetë dikush që e shfrytëzon pozicionin që e ka, siç thuhet, “për t’ia futur gishtin në sy”. Por, gjithmonë do t’i rikujtojë për obligimet që janë pranuar kur bëhet fjalë për formimin e Bashkësisë së komunave serbe, si dhe për të gjitha gjërat tjera që kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Simiq, si e shihni dialogun e brendshëm serb për Kosovën?
Igor Simiq: Ky është një vendim i guximshëm dhe i burrështetasit, në radhën e vendimeve të burrështetasit, që presidenti Vuçiq ka ndërmarrë në periudhën e kaluar. Konsiderojmë që dialogu i brendshëm është mënyra më e mirë që të definohen qartë qëndrimet e popullit serb në tërësi, por edhe institucioneve kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Personalisht, mendoj që kjo është një gjë shumë e mirë dhe se është hapur mundësia që secili ta shpërfaqë qëndrimin e vet të qartë. Kur bëhet fjalë sjellja e zgjidhjes përfundimtare, do të ketë mjaft kohë që secili ta shpërfaqë qëndrimin e tij dhe të formësohet propozimi përfundimtar se si populli serb dhe shteti i Serbisë e shohin mënyrën e zgjidhjes së problemit në Kosovë.
Unë, pres që në anën tjetër, të tregohet gatishmëri edhe e përfaqësuesve të shqiptarëve në Kosovë, sepse në periudhën e kaluar keni pasur rastet që të dëgjoni se edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare janë të gatshëm që të nisin një dialog të ngjashëm edhe ndërmjet shqiptarëve në Kosovë.
Mendoj që kjo është gjë e mirë dhe se kjo është mënyra më e drejtë që të arrihet deri te zgjidhja e qëndrueshme, deri te situata në të cilën askush nuk do të jetë i mundur. Secili do të mund të nxjerrë përfitime të caktuar, kur bëhet fjalë për serbët dhe për shqiptarët që jetojnë në hapësirën e Kosovës, si dhe në përgjithësi, për serbët dhe shqiptarët që jetojnë në hapësirën e Ballkanit perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: A mundet që ai dialog të ketë si rezultat heqjen e preambulës për Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë? Çka nëse kjo ndodh?
Igor Simiq: Mendoj se çfarëdo që të them tash lidhur me këtë temë, do të ishte spekulim klasik. Çfarë do të ndodhte, sikur të ndodhte? Mendoj se nuk do të ishte shembull i mirë që të jap përgjigje në një pyetje të tillë. Ajo që edhe presidenti Vuçiq disa herë ka përmendur, zgjidhja gjendet ndërmjet asaj që përfaqësojnë interesat e serbëve dhe shtetit të Serbisë, por, njëkohësisht duke marrë parasysh edhe pozicionet e caktuara të shqiptarëve në hapësirën e Kosovës. mendoj që kjo është një bazë reale për arritjen e një zgjidhjeje afatgjate dhe të qëndrueshme.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Simiq, tashmë është paralajmëruar vazhdimi i dialogut në Bruksel. A do të kërkoni përfshirjen e serbëve të Kosovës në dialogun e Kosovës me Serbinë në Bruksel?
Igor Simiq: Serbët janë të përfshirë në procesin e dialogut. Janë të përfshirë si pjesë e ekipit bisedues të Beogradit dhe kjo nuk paraqet asgjë të re. Ne kemi marrë pjesë në disa mbledhje, kur janë sjellë zgjidhje të caktuara për fusha të ndryshme. Kështu që serbët po marrin pjesë në atë dialog dhe për këtë nuk ka kurrfarë dileme. Mund të them se kjo është mjaft e rëndësishme, për shkak se është e nevojshme që njerëzit që jetojnë në hapësirën e Kosovës dhe të cilët i jetojnë ato zgjidhje që sillen në Bruksel, duhet të jenë në pranishëm në tavolinën e bisedimeve.
Po i kthehem pyetjes suaj të parë. Prandaj në Listën Serbe dëshirojmë të tregojmë se formimi i Bashkësisë së komunave serbe është nevojë për serbët që jetojnë në Kosovë, jo në kuptimin politik, por në kuptimin e jetës reale. Pra, të formohet institucioni, i cili do t’u jepte formë qëndrimeve të serbëve edhe ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Por, gjithashtu, ne si përfaqësues serbë, me këtë do të merrnim përgjegjësi më të madhe për përparimin e pozitës së qytetarëve në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: A kanë kërkuar autoritetet e Kosovës që përfaqësuesit serbë të përfshihen në ekipin e Kosovës në dialog?
Igor Simiq: Me sa e kam unë të njohur, jo. Ne, deri më tash, nuk kemi qenë pjesë e delegacionit të bisedimeve të Prishtinës. Se a do të ndodhë kjo në të ardhmen, këtë nuk e di. Ajo që e di është qëndrimi i Listës Serbe, se Beogradi me të drejtë është përfaqësues i serbëve në ato bisedime dhe se në kuadër të delegacionit të Beogradit shkojnë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kjo për ne është krejtësisht e mjaftueshme.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Simiq, nëse Qeveria apo Kuvendi i Kosovës nisin ndryshimet kushtetuese lidhur me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, a do ta ndryshojë Lista Serbe qëndrimin refuzues, të cilin e ka pasur deri më tash lidhur me këtë çështje?
Igor Simiq: Kjo është çështje, për të cilën Lista Serbe ka qëndrim të qartë. Është i njëjti që kemi pasur gjatë fushatës, kur kemi kandiduar me programin tonë për punë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit dhe për të cilin kemi marrë mbështetjen e më shumë se 90 për qind të serbëve në Kosovë. Forca e armatosur e vetme legale dhe legjitime, që në hapësirën e Kosovës ka ardhur me pajtimin e Beogradit, është KFOR-i.
Ne thellësisht besojmë se nuk ka kurrfarë nevoje për formimin e çfarëdo force të armatosur tjetër në këto hapësira dhe çfarëdo formimi nuk do ta marrë mbështetjen e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.Dua të them se është fakt që transformimi i Forcave të Sigurisë nuk do t’iu leverdisë në përgjithësi, as qytetarëve shqiptarë që jetojnë në hapësirën e Kosovës. Kjo më tepër është një kërkesë për përfitimin e pikëve të caktuara politike.
Të rinjtë kanë braktisur Prizrenin, Prishtinën, Gjakovën apo Pejën dhe nuk po shkojnë në Evropën perëndimore për shkak se nuk e kanë Ushtrinë e Kosovës, por për shkak se nuk kanë hapësirë për përparim ekonomik, gjegjësisht, nuk kanë vende pune. Në atë moment që këtë ta kuptojnë njerëzit në Prishtinë, ne do të mund të ecim tutje. Kjo çështje, në mënyrë absolute nuk paraqet nevojën reale të shqiptarëve, e veçanërisht jo as të serbëve në hapësirën e Kosovës. Do të shtoja këtu dy të dhëna të rëndësishme.
E para, në hulumtimet që kanë bërë organizatat e caktuara joqeveritare në Kosovë, del se vetëm 4 për qind të shqiptarëve janë të interesuar për këtë çështje. Por, 27 për qind prej tyre janë të interesuar për pozitën e tyre ekonomike.
Gjithashtu, është nxjerrë edhe një e dhënë tjetër e rëndësishme. Ne në hapësirën e Kosovës e kemi KFOR-in, si trupa të NATO-s. A mendon dikush se ata nuk janë mjaftueshëm të fuqishëm që ta ruajnë paqen në këto hapësira dhe se është e nevojshme të formohet diçka tjetër? Mendoj që jo, sepse e gjithë kjo është vetëm një lundrim popullist, që në të vërtetë nuk ka kurrfarë baze reale.
Ministri Peci shpalos të arriturat e ministrisë së Bujqësisë...
Hamza takon ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, diskutojnë për ...
Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet për Ligjin e g...
SPAK njoftim zyrtar për Erion Veliajn, i përgjigjet për kall...
Drenusha e nevrikosur me Gjestin, shkak qasja e tij ndaj Xhe...
Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet p...