Google ADS

Simiq: Çdo fëmijë serb në Skenderaj është zemra e Serbisë

09:39 | 27 Dhjetor 2019
Arbresh.info

I sapoemëruari kryeshef i të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, Sllavko Simiq, njëri nga liderët e Listës Serbe, ka vizituar të enjten dy fshatrat e komunës së Skenderajt, Bajën, e cila ka shumicën e popullatës serbe dhe Syriganën, në të cilën jetojnë rreth 20 familje serbe dhe ka siguruar serbët se “Serbia dhe presidenti Vuçiq do të përkujdesen për ta”. Në Bajë e në Syriganë femra shqiptare të martuara me serbë, shkruan gazeta “Zëri”.

Sllavko Simiq, njëri prej liderëve të Listës Serbe, i sapoemëruar kryeshef i të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, ka siguruar serbët e Bajës dhe të Syriganës së Skenderajt se Serbia dhe presidenti Vuçiq do të përkujdesen për sigurinë dhe të ardhmen e tyre, pasi që, siç ka thënë ai: “Ju jeni shembull se si ruhet Serbia dhe si luftohet për të”.

Simiqi ka vizituar dy fshatrat e Skenderajt me popullate të përzier, Baja, e cila ka shumicë serbe të popullatës dhe Syriganën, në të cilën jetojnë rreth 20 familje serbe dhe me atë rast ka deklaruar se fëmijët serbë që jetojnë në fshatrat Syriganë dhe Bajë në komunën e Skenderajt (Serbica) në kushte specifike janë shembulli më i mirë se si mbrohet Serbia.

Ai fëmijëve serbë të këtyre dy fshatrave u ka ndarë dhurata të Vitit të Ri.

Simiqi takohet me përfaqësues të komunës paralele të Skenderajt

“Çdo fëmijë që jeton në këto hapësira në zemrën e Serbicës (Skenderaj) dhe përderisa ata janë këtu zemra e Serbisë do të rrahë dhe për këtë arsye shteti i Serbisë investon për kushte më të mira të jetesës dhe për shkollimin tuaj, investon në popullin e vet në këto hapësira si kurrë më shumë se deri më tash me ndihmën dhe me mbështetjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit dhe Zyrës Serbe për Kosovën.

Shteti i Serbisë, i cili në masën më të madhe është i pranishëm këtu, në masën më të madhe edhe është duke investuar në zhvillimin ekonomik, në infrastrukturë, në bujqësi dhe në mënyrë institucionale mbështet popullin e vet, kjo është për krenari dhe populli ynë që jeton në këto hapësira këtë e meriton”.

Ai ka shtuar se “atë që e kemi në fshatrat Syriganë (Suhagërll) e në Bajë është mburrje nacionale dhe kapital nacional, në të cilin shteti do të investojë”.

Siç përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, Simiqi është takuar me përfaqësues të komunës paralele të Skenderajt (Serbica), përfaqësues të Organit të Përkohshëm, me të cilët ka biseduar për mënyrën sesi bashkërisht të punojnë për t’i zgjidhur disa nga problemet me të cilat përballen banorët e këtyre dy fshatrave. Banorët serbë i kanë thënë Simiqit se gati gjysma e banorëve janë fëmijë (110 fëmijë).

Rajko Tomasheviq, siç përcjell “Kosovo Online”, ka falënderuar Qeverinë e Serbisë, Zyrën për Kosovën e presidentin Vuçiq, sepse, siç tha ai, “mendojnë për ne dhe investojnë këtu”. “Ata na kanë sjellë mekanizëm bujqësor, material ndërtimor, njerëzit kanë qenë skeptikë, por tani luftojnë që të jetojnë këtu, duke iu falënderuar pikërisht Qeverisë së Serbisë”, ka thënë Tomasheviq, anëtar i Këshillit Komunal të Serbicës (Skenderaj). Në anën tjetër, vetë banorët serbë të këtyre dy fshatrave i kanë thënë Simiqit se në vitet e fundit nuk kanë pasur probleme të sigurisë me fqinjët shqiptarë.

Baja, selia e komunës paralele të Skenderajt

Komuna paralele e Skenderajt, ose Organi i Përkohshëm, është e vendosur në Bajë dhe ajo udhëhiqet nga Mile Jokiq, i cili para lufte ka punuar në Drejtorinë e Mbrojtjes në Skenderaj (“Vojni Odsek-Srbica”).

Kuvendi paralel i Skenderajt ka 17 anëtarë dhe pothuajse të gjithë ata i takojnë Listës Serbe, të emëruar nga Qeveria e Serbisë. Për një kohë kjo komunë paralele në kohën sa drejtohej nga e ashtuquajtura Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën ka pranuar dokumente, në bazë të të cilave janë lëshuar pasaportat, që kanë mundur t’i shfrytëzojnë edhe shqiptarët. Dokumentet, natyrisht të gjitha në gjuhën serbe dhe të lëshuara nga organet serbe, dorëzoheshin në Bajë e pastaj dërgoheshin në Serbi, të shumtën në Kralevë dhe pas 7 ditëve aplikuesve u vinin pasaportat serbe të Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovë, e cila udhëhiqej nga Nebojsha Çoviq.

Ndryshe, Baja dhe Syrigana konsiderohen të rëndësishme për Serbinë edhe për faktin se në këto fshatra janë të koncentruara familje serbe, derisa në asnjë fshat tjetër nuk ka serbë. Në Bajë mund të hasësh edhe në serbë të Kotorrit, të Leqinës, të Runikut ose edhe të ndonjë fshati tjetër, të cilët nuk kanë mundur ta lëshojnë Kosovën. Edhe dukuria e martesave të serbëve me shqiptare nga Shqipëria është prezente në këto dy fshatra, në Bajë është e martuar një grua shqiptare nga Shkodra, emri i së cilës është Maruka, por ajo e ka ndryshuar emrin, siç e ka ndryshuar edhe emrin e djalit që ka sjellë me vete e që ia ka dhënë Aleksandër, ndërsa në Syriganë, te Tomasheviqët, është e martuar një femër gjithashtu nga Shkodra, Mirjeta, e cila gjithashtu e ka ndryshuar emrin dhe tani ajo quhet Marija.

Sami Lushtaku, derisa ka qenë kryetar i Skenderajt, kishte vizituar ato, ndërsa i kishte ftuar të vijnë në Skenderaj, duke u premtuar punë, por asnjëra prej tyre nuk kishte pranuar, ndonëse të dyja familjet serbe, në të cilat janë të martuara femrat shqiptare, Maruka e Mirjeta, njëra Kovaçeviq e tjetra Tomasheviq, jetojnë në kushte të vështira.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme