Qysh në tetor të vitit të kaluar, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale pati thënë se sigurimet shëndetësore do të bëhen në fund të vitit 2018.
“Unë po dua me ju thanë që sigurimet shëndetësore do t’i fillojmë në fund të vitit të ardhshëm, për ta mbuluar të gjithë Republikën e Kosovës”, pati thënë ministri Ismajli.
Por, një gjë e tillë nuk pritet që të ndodhë këtë vit. Të paktën kështu ka thënë kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu.
Në një prononcim për Indeksonline, ajo ka deklaruar se nuk është duke u bërë ndonjë përpjekje që sigurimet të jenë gati në fund të këtij viti. Sipas saj, ndryshimi i këtij ligji merr kohë, andaj këtë vit nuk mund të realizohet.
“Ne e kemi thirr në komision Ministrin e Shëndetësisë, edhe ai ka thënë se diku kah fundi i këtij viti, eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm do të ketë sigurime shëndetësore, por siç jemi duke e parë nuk është duke u bërë diçka në këtë drejtim. E di që një draft rregullore është kah punohet për çmimoren e barnave, por nuk jemi tu pa diçka që bëhet shpejtë, për shkak se edhe ligji për sigurime shëndetësore duhet me ardh në kuvend e me u bo ndryshimi i këtij ligji. Kjo procedurë merr kohë, kështu që fundi i vitit nuk besoj se do të jetë me sigurime shëndetësore”, tha Baftiu.
Policia e Kosovës është njëri ndër institucionet ku punëtorëve të saj u duhet urgjentisht sigurimi shendetësor.
Para disa ditëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, kishte pritur në takim nënkryetarin e Sindikatës së Policisë, Shaban Tashollin, të cilit i premtoi se kërkesat e kësaj sindikate për sigurime shëndetësore do të realizoheshin.
Por, Tasholli për Indeksonline thotë se përpos premtimeve, ende nuk ka asnjë risi tjetër.
Sipas tij, vazhdojnë të jenë në pritje të një përgjigje për këtë çështje.
“Ende nuk ka asnjë risi sa i përket sigurimeve shëndetësore. Kërkesat tona të dërguara në të gjitha instancat e Kosovës ende nuk janë realizuar. Na kanë thënë se përgjigja nuk do të jetë negative por as pozitive nuk është ende. Në pritje jemi, ndoshta do të kemi një takim me ministrin, edhe ministri edhe kryeministri kanë premtuar shumë për këtë gjë”, tha Tasholli.
Ndryshe pas emërimit ditë më parë nga ana e Qeverisë të Bordit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), në Ministrinë e Shëndetësisë, është mbajtur takimi i parë i këtij bordi që është organi më i lartë vendim-marrës i Fondit në pajtim me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor.
Në këtë takim konstituiv, anëtarët e Bordit janë njoftuar nga Ushtruesi i Detyrës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi lidhur me përgjegjësitë e këtij organi, ndërkohë që me vendim unanim të anëtarëve të Bordit, kryesues i Bordit, në bazë të parimit të rrotacionit për vitin e parë, do të jetë dr. Naim Bardiqi, përfaqësues i MSh-së në këtë bord.
Ambasadori i Shqipërisë kërkon bashkërendim në dialogun Koso...
IPK rekomandoi suspendimin e tre punonjësve të policisë
Kurti mirëpriti Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të...
Bislimi mirëpriti zëvendës shefen e misionit të ShBA-së në K...
Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta f...
Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së Kreshnik Radoniqi,...