Ndonëse politikanët e vendit tash e sa vite janë duke u thirrur se Kosova është krah shteteve të rajonit për luftimin e terrorizmit, një gjë e tillë nuk po duket në realitet. Mjaftoi kthimi i 110 personave nga vatra e luftës së Sirisë dhe Irakut në Kosovë, të dëshmojë se vendi ynë nuk është i përgatitur për integrimin dhe trajtimin e personave të kthyer nga këto vende. Pa kaluar as një javë nga ardhja e tyre në Kosovë, gratë dhe fëmijët u liruan nga një qendër e azilit për në shtëpitë ku dikur ishin larguar, shkruan arbresh.info.
E kjo e vërteton më së miri se shteti ynë nuk është i gatshëm të ballafaqohet më këto raste thonë njohësit e çështjeve të sigurisë në vend.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për arbresh.info, se Prokuroria e Shtetit duhet të bëjë hetim të mirëfilltë për secilin prej personave nëse të njëjtit dyshohen se mund të paraqesin rrezik për vendin.
“Sa i përket personave te cilët janë kthyer nga Siria, Prokuroria duhet të bëjë një hetim të mirëfilltë për secilin prej tyre nëse të njëjtit kanë kryer ndonjë vepër penale ose të njëjtit paraqesin rrezik për vendin. Mbi këto të gjetura, Prokuroria duhet të ndërmarrë edhe veprimet procedurale, disa prej të cilave veç se i ka ndërmarrë. Në këtë drejtim, shteti duhet të angazhohet në riientegrimin dhe risocializimin e të gjithë të kthyerve nga Siria. Kjo duhet të jetë kështu edhe për personat të cilët pretendohet se kanë kryer ndonjë vepër penale, për shkak se ky qëllim korrespondon edhe me qëllimin e vetëm të dënimit, sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Ky proces i risocializimit dhe riintegrimit duhet t’i përshtatet specifikave që kanë të kthyerit nga Siria. Nëse është e nevojshme, kjo përfshinë edhe obligimin për ndarje të mjeteve shtesë për këtë kategori, nëse resurset ekzistuese janë të pamjaftueshme”, deklaroi Shala.
Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala, e sheh të gabuar vendosjen për disa ditë në një qendër të azilit këta persona. Në një prononcim për arbresh.info, Shala, thotë se një veprim i tillë është i pa matur nga institucionet.
“Në rend të parë ardhja e këtyre qytetareve në vendin e origjinës po tregon që ISIS ka humbur territor edhe është në shuarje kjo strukturë terroriste. Por, në anën tjetër vendosja e këtyre qytetareve në qendrën për azil kërkues e shoh si një veprim jo i matur edhe i analizuar mirë. Sepse pozita e kësaj qendre mbi peshën e cila është dhënë me vendosjen e këtyre qytetareve, tregon që pavarësisht deklaratave nga ana e institucioneve të Kosovës nuk kanë plan konkret afatgjatë se si dhe në çfarë forme me ju qas këtij problemi. Duke patur parasysh që edhe një kontingjent prej 150 qytetarëve të Kosovës që ishin pjesë e ISIS do të kthen brenda afatit 1 mujor”, deklaroi Shala.
Sipas Shalës qytetarët e kthyer nga Siria duhej të ndaheshin në dy lokacione në Smrekonicë dhe ne qendrën e paraburgimit në Lipjan, pasi që sipas tij ajo në Vranidoll nuk i plotëson kushtet e sigurisë.
Për fëmijët që ishin pjesë e luftës thotë se duhet të shqiptohet amnisti, por, në mënyrë të kontrolluar.
“Organet e drejtësisë së Kosovës duhet që bazën ligjore të cilën e ka për aktivitet dhe pjesëmarrjen në luftërat e jashtme me karakter terrorist të ndryshoje dhe t’i përshtatet tani me ardhjen e këtyre qytetarëve në vatrat e tyre. Por mbi gjitha duhet që organet kompetente të marrin për bazë modelin norvegjez mbi të kthyerit në vendin e tyre duke u fokusuar në fëmijët, të cilët janë të pafajshëm në gjithë aspektet dhe ndaj tyre të shqiptohet një amnisti totale, por e kontrolluar”, vlerësoi ai.
Institucionet e Kosovës kanë kthyer 110 shtetas të saj nga Siria: katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë. Për disa prej tyre tashmë kanë nisur procedura gjyqësore.
Nga ekspertë të sigurisë është vlerësuar se me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e së njejtës rrugë. /arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...