Siguria në shkolla| Komuna e Prishtinës pajisë me kamera sigurie shkollat fillore

12:02 | 8 Prill 2023
A. B.

Komuna e Prishtinës ka nisur një aksion për vendosjen e kamerave të sigurisë thuajse në të gjitha shkollat fillore të kryeqytetit.

Krejt kjo për të rritur sigurinë e nxënësve të këtyre shkollave brenda objektit shkollor, por edhe jashtë saj, raporton “Arbresh.info”.

Po ashtu, vendosja e kamerave ka për qëllim minimizimin e dhunës dhe rastet të tjera që mund të ndodhin nëpër këto institucione shkollore.

Drejtori i shkollës fillore e mesme e ulët “Emin Duraku”, Visar Osmani për “Arbresh.info” ka thënë se fakti që janë kamerat,  fëmijët janë më të kujdesshëm.

Ai ka shtuar se siguria tek fëmijët është shtuar fal vendosjeve të kamerave, gjë që sipas tij, ia ka lehtësuar punën dhe ka ndikuar në parandalimin e dukurive negative.

Në këtë shkollë, ai tregon se janë të vendosura mbi 30 kamera të sigurisë.

“Kemi qenë ne pjesë e projektit që kemi rritur numrin e kamera si brenda dhe jashtë dhe ato i kontribuojnë sigurisë së përgjithshme. I kemi diku rreth 38 kamera, për vetë faktin që janë pajisje që shihen fëmijët janë më të kujdesshëm janë të ekspozuara vetëm në korridore dhe monitorohet edhe nga pjesa e jashtme e oborrit të shkollës. I monitorojmë shkollat vazhdimisht gjatë pushimit të gjatë 24 orë monitorohet prej anës time edhe prej stafit përgjegjës. Është jashtëzakonisht investim i duhur sepse është një mjet që i parandalon dukuritë negative dhe ndihemi më të sigurt. Përpara kur nuk ka pasur kamera nuk kemi ditur se çka po ndodh brenda shkollës”, tha Osmani.

Kurse mësimdhënësja e kësaj shkolle, Naxhijeve Fejzullahu ka thënë se vendosja e kamerave ka qenë shumë pozitive për nxënësit dhe për stafin udhëheqës, duke shtuar se prezenca e kamerave po i ulë numrin e problemeve në shkollë.

“Vendosja e kamerave ka ndikuar shumë pozitivisht tek siguria e nxënësve por edhe tek stafin udhëheqës gjatë tërë kohës e kanë një pasqyrim nga të gjitha ngjarjet që ndodhin rreth shkollës. Për neve si mësimdhënës është gjithmonë pozitive kur janë prezent kamerat pasi që nëse ndodh ndonjë problem apo çfarë do që të jetë ne e kemi më të lehtë që të identifikojmë shkaktarët dhe të zgjidhim problemin. Tek nxënësit nuk është që ka shkaktuar ndonjë drojë apo diçka, ata tashmë janë familjarizuar me kamera dhe nuk është që vërehet prezenca e tyre. Edhe nxënësit kur e dinë se tashmë është prezent një kamerë e cila sjellë në pah të vërtetën ulë numrin e problematikave”, tha Fejzullahu.

Njëjtë si Shkolla “Emin Duraku” ka vepruar edhe shkolla fillore e mesme e ulët “Gjergj Fishta”.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Supie Zhitia, tregon se ka mirëpritur vendosjen e kamerave, duke shtuar se ka qenë një investim i domosdoshëm dhe i duhur.

“Ato janë vetëm një segment për sigurinë në shkollë, kamera regjistron çdo lëvizje në shkolla dhe është një ndihmesë e konsiderueshme për të identifikuar situata që duhet të qartësohen. Me instalimin e kamerave janë më të kontrolluar, përndryshe edhe më herët nuk kemi shënuar ndonjë hyrje apo lëvizje të pakontrolluar por tani janë mundësitë për situatat që kemi nevojë. Është shumë e mirëseardhur dhe shumë domosdoshme ka qenë investim më se i duhur”, tha Zhitia.

Por, shkolla e mesme e ulët “ Nazim Gafurri”, ka një hall, pasi ky institucion shkollor ka kamera të sigurisë, por ato janë vjetruar.

Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Arif Abazi, për “Arbresh.info”, ka treguar se kamerat janë të vjetruar dhe kanë filluar të humbin shikimin.

Por, ai tha se ka marr premtime nga Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu dhe nga Drejtoresha e Arsimit në Prishtinës, Besiana Musmurati që shpejtë do të vendoset kamerat e reja.

“Cilësia e kamerave nuk është edhe shumë e mirë ka shumë vite që janë të vendosura dhe ka filluar të humb shikimi i kamerave, por ka krijuar një siguri më të madhe tek nxënësit vendosja e kamerave. Sigurisht që është zvogëluar edhe dhuna në mes bashkë moshatarëve sepse fëmijët e dinë e që shihen në kamera. Por edhe jashtë shkollës problemet janë më të vogla se ardhjet nga jashtë janë m të vogla sepse i frikohet kamerave dhe dëmet janë më të vogla. Një premtim se shpejtë do të vendosen kamerat e reja sepse këto janë të kualitet të dobët. Na ka premtuar se të vendoset kamerat e reja, sepse me 14 kamera shkolla brenda nuk mund të përfshihet e tëra shkolla. Për ne do të jetë shumë me e lehtë puna por edhe për fëmijët është një siguri që edhe nëse i humb diçka e kanë më të lehtë për ta gjetur”, tha Abazi.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka filluar me vendosjen e kamerave të sigurisë edhe nëpër shkollat dhe çerdhet në fshatra të kësaj komune, me qëllim të krijimit të sigurisë nëpër shkolla. Plani për vendosjen e kamerave të ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar/Arbresh.info/Diellza Gashi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme