Seriali “Çka ka shpija” nuk është më pjesë e RTK-së. Bordi i ri i televizionit publik e konsideron abuzuese marrëveshjen me anë të së cilës ky serial për tetë sezone u transmetua në këtë medium.
Kryesuesi i bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha para deputetëve në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere se transmetimi i këtij seriali është mundësuar në mënyrë jo të rregullt. Ai tha se menaxhmetet dhe produksionet janë marrë vesh mes vete në këso raste, ndërsa tregoi se kanë vendosur që për produkte të tilla nga jashtë të hapin konkurse në të cilat mund të aplikojnë të gjitha produkesionet.
“Sa i përket “Çka ka shpija” dhe një seriali tjetër që ka qenë, këtu janë dy çështje kryesore. E para është edhe çështja e buxhetit të shkurtuar. Por problemi kryesor ka qenë se këto kanë qenë bashkëprodhim me RTK-në. Pra gjithë këta kanë qenë me kontrata për shërbime. Do të thotë, nuk ka shkuar në mënyrë të rregullt si produksion i jashtëm dhe ne si bord kemi vendos që me ato mjete që i kemi në dispozicion do të hapet konkurs publik që të aplikojnë të gjitha produksionet dhe ato të angazhohen në këtë mënyrë, jo me marrëveshje direkt mes menaxhmentit dhe produksioneve të jashtme. Do të ketë konkurs dhe komisione profesionale të cilat do t’i vlerësojnë dhe ne do t’i angazhojmë si bord me ato mjete të cilat i kemi në dispozicion”, tha Boletini.
Sipas Boletinit, borxhet e mëdha që i ka RTK-ja janë krijuar prej këtyre produksioneve të jashtme, të cilat kanë qenë të angazhuar në televizionin publik me anë të kontratave për shërbime.
“Ne shumë shpejt do ta hapim konkursin dhe kushdo që është i interesuar prej produksioneve të jashtme do të mund të aplikojë dhe të jetë i barabartë në këtë aspekt. Do të thotë e gjithë kjo çështje lidhet me punën e borxheve që folëm deri më tani, sepse shumica e këtyre borxheve janë krijuar prej këtyre produksioneve të jashtme, qoftë informative, qoftë argëtuese. Forma e kontraktimit të tyre, ne si bord kemi konsideruar se ka qenë abuzuese dhe është shkaktar i krijimit të këtyre borxheve, kështu që ne do të kemi kujdes dhe këtë do ta bëjmë vetëm përmes konkurseve publike. Nuk do të ketë marrëveshje në tavolinë”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se mund të ketë marrëveshje të negociuar për ndonjë produkt si seriali “Çka ka shpija”, për të cilin tha se është ndër më të shikuarit.
“Kur ka interes organizata, kur ka interes publiku, kur ka interes shoqëria jonë, mundësia e negicimit direkt ekziston. Si s’ka mundësi me negociu direkt një grup intelektualësh, artistash për një emision që – kolegu e tha – është ndër më të shiquarit”, tha Shala.
Në replikë, kryesuesi i bordit të RTK-së tha se do të ketë kritere tjera për pranimin e produksioneve, ku çmimi më i ulët nuk është më i rëndësishëm.
“Nuk është çmimi më i ulët kriteri. Do të jetë edhe përmbajtja e projektit”, tha Boletini. /GE/
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...