Plot 43 mijë euro i ka shpenzuar Ekipi Negociator që ka vepruar nën udhëheqjen e Fatmir Limajt e Shpend Ahmetit, duke vepruar për plotë gjashtë muaj ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Të gjitha këto mjete, nga 300 mijë sa u ndanë gjithsej nga Qeveria, shkuan për paga, ushqim, akomodim e edhe për një punëtori që u mbajt në Tiranë. Pjesa e mbetur do të derdhet në buxhet të shtetit. Detaje ka dhënë Ilir Cacaj i cili ishte emëruar zëvendës koordinator i zyrës administrative të Delegacionit shtetëror
Që nga emërimi si anëtarë të Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë, zyrtarët e shtetit që gëzuan këto pozita, nuk e patën shumë të vështirë ushtrimin e detyrës, pasi që për gjashtë muaj sa qëndruan në detyrë, dialogu qëndroi pezull shkaku i taksës, e të njëjtët nuk u lodhën shumë duke kryer punë.
Ekipi nën udhëheqjen e Fatmir Limaj e Shpend Ahmetit udhëtuan tre herë në Bruksel e patën një buxhet të ndarë nga Qeveria e Kosovës që kishte shumën e 300 mijë eurove.
Përveç anëtarëve të ekipit 11 gjithsej, në zyrën administrative u punësuan edhe 12 persona tjerë, e të gjithë këta kanë marrë pagë për dy muaj të punës, prill e maj.
Roli i ekipit megjithatë pushoi pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, që sqaroi se krijimi i saj e votimi në Kuvend bije në ndesh me Kushtetutën e Kosovës, derisa, bëhet e ditur se dialogu udhëhiqet nga shefi i Qeverisë nën monitorimin e Kuvendit të Kosovës.
Këta muaj përveç se shkuan kot, i kushtuan buxhetit të shtetit plot 42 mijë e 763 euro e 65 centë, të cilat u shpenzuan për bileta aeroplani, akomodim e ushqim, për të gjithë delegacionin e stafin përcjellës e plot 17 mijë euro shkuan për paga të një ekipi që veproi ndesh me kushtetutën.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Ilir Cacaj i cili ishte emëruar zëvendëskoordinator i zyrës administrative të Delegacionit shtetëror për bisedime ka bërë të ditur edhe detaje nga shpenzimet e kryera të punës.
“Shuma e shpenzuar nga Delegacioni Shtetëror për Bisedime (përfshirë Zyrën Administrative të Delegacionit) është 42,763.65 euro”, derisa ka dhënë detaje edhe për çfarë shpenzime bëhet fjalë.
Vetëm në një punëtori në Tiranë anëtarët e delegacionit kanë shpenzuar 3 mijë e 500 euro.
“Nga shuma e përgjithshme shpenzimet janë të ndara si vijon: Shpenzime udhëtimi (bileta aeroplani) për disa udhëtime ne Bruksel – 22,251.46 euro. Shpenzime akomodimi dhe ushqimi (punëtori në Tiranë) për të gjithë anëtarët e Delegacionit dhe stafit përcjellës – 3,452.19 euro”, tha Cacaj.
I njëjti ka treguar se vetëm për paga janë shpenzuar në total, 17 mijë e 60 euro.
“Zyra administrative ka pasur të punësuar 12 persona dhe janë paguar për muajin prill dhe maj 2019. Pas daljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, zyra ka pushuar së funksionuari dhe unë sipas autorizimeve nuk kam bërë dhe nuk do të bëj më veprime që lidhen me Delegacionin pas datës së shpalljes së vendimit”, po deklaron ai.
I pyetur se ku do të shkojnë mjetet që janë ndarë nga Qeveria, Cacaj ka shtuar se do të mbeten në buxhet të shtetit.
“Mjetet e mbetura janë në buxhet të shtetit dhe mjetet e ndara kanë qenë gjithmonë aty. Zyra ka bërë vetëm kërkesë për shpenzime deri në momentin e funksionimit”, përfundoi ai.
I bie që paratë e taksapaguesve, plot 43 mijë euro u shpenzuan kot, derisa partitë opozitare kanë kërkuar që të jepet llogari për shpenzimin e këtyre mjeteve.
Kujtojmë që javën e kaluar, Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jo kushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Gjykata vendosi në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Kuvendi i Kosovës pati miratuar në dhjetor të vitit 2018 Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti.
Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...