Investigimi i “Fiks Fare” dhe “Rrokum TV” solli fakte për mënyrën e importit të naftës që vjen në Shqipëri dhe Kosovë me certifikatë cilësie të falsifikuar. Disa kompani private kanë lidhur kontratë për analiza cilësie të naftës nga shoqëria italiane “Intertek Italia”.
Gazetarët e “Fiksit”, në bashkëpunim me kolegët e televizionit “Rrokum TV” në Kosovë, verifikuan këto certifikata në Entin italian të Akreditimit, ku rezultoi se “Intertek”-u nuk është i akredituar për analizat e cilësisë së naftës dhe gazit.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) analizon naftën që shpërndahet në Shqipëri pa hyrë në doganë, ndërsa në Kosovë, nafta shkon me certifikatën e origjinës.
Gazetarët zbuluan një certifikatë të lëshuar nga trupa e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, e cila plotësohet në hyrje të Doganës. Të dhënat kopjohen vetëm nga certifikata e origjinës së importuesit, që në këtë rast është e falsifikuar.
“Unë kam verifikuar certifikatat e analizave të hidrokarbureve, të cilat janë të falsifikuara”, tha një denoncues.
Po kush e kontrollon cilësinë e karburantit që shkon në Kosovë? I vetmi kontroll që i bëhet cilësisë së naftës vjen nga rafineritë dhe agjencitë që ato i angazhojnë për t’i lëshuar certifikata analizash. Sipas denoncuesit, në Kosovë ka vetëm përshkrim analizash, jo laboratorike, por vetëm të origjinës.
“Fiks Fare” dhe “Rrokum TV” siguruan disa certifikata analizash të cilësisë për karburantin e importuar në Shqipëri dhe Kosovë, nëpërmjet porteve të Petroliferës në Vlorë dhe Porto Romanos në Durrës. Këto certifikata lëshohen nga shoqëria “Intertek Italia”.
Gazetarët i dërguan një kërkesë zyrtare “Accredia”-s, Entit italian të Akreditimit. Përgjigjja është kjo:
“Laboratori ‘Intertek Italia Spa’, me numër akreditimi 0579, nuk është i akredituar nga Enti italian i Akreditimit për analizat e cilësisë së karburantit dhe nënprodukteve të tij”.
Gazetarët e “Fiksit” udhëtuan drejt Vlorës, ku biseduan me drejtuesin e Petroliferës.
“Petrolifera, sipas ligjit të koncesionit 9231, është thjesht magazinë. Jemi në status të huaj. Këtu mund të vijë çdo lloj produkti, çdo lloj cilësie. Produktet që hyjnë në Republikën e Shqipërisë certifikohen nga Instituti Qendror Teknik. Vijnë inspektorët, marrin analizat, bëjnë analizat, ia çojnë Doganës. Atëherë merr të drejtën e daljes të naftës në Republikën e Shqipërisë”, thotë ai, ndërsa shton se “nëse produkti është në përputhje me standardet e shtetit shqiptar, ngrihet trau. Nëse s’është mbetet në zonë të huaj”.
Drejtuesi i Petroliferës shton se certifikatat e cilësisë në Shqipëri i bën kryesisht “SGS”-ja, “Intertek”-u ose ndonjë institucion tjetër i akredituar. “Ne ‘Intertek’-un e njohim. Në Shqipëri janë dy, është ‘SGS’-ja dhe ‘Intertek’-u. Të dyja janë shumëkombëshe që bëjnë analiza”, thotë ai.
Në lidhje me naftën që shkon në Kosovë thotë se, “kur e ngarkojmë autobotin e Kosovës ne, mbushen dy shishe me firmë. Një ia japim shoferit të Kosovës, një e mbajmë 3 muaj. Kosovari e ka marrë të pastër, 100% të pastër. Ne nuk kemi lidhje fare se analizat e produkteve i bën pronari i mallit dhe paguan ‘Intertek’-un për të bërë analizat e mallit”.
Pas pretendimit të Petroliferës, gazetarët shkojnë në Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Inspektori Nako Spiro thotë se “ISHTI organizon strukturat e tij për marrjen e analizave nga anija. Kur shkohet në anije, pavarësisht nga certifikata e origjinës, merren mostra nga të gjitha dhomat e anijes, bëhet një mesatare dhe kjo bën kampionin përfaqësues, i cili sillet dhe analizohet në laboratorin e Inspektoriatit”.
Inspektori shton se analizat bëhen përpara se malli të zhdoganohet. “Dogana shqiptare, pasi merr informacion nga Inspektoriati Shtetëror, atëherë procedon me shkarkimin e anijes. Malli aty është i lirë, mund të shkojë për tregun vendas. Njëkohësisht mund të shkojë për tregun e jashtëm. Në tregun e jashtëm mund të shkojë me analizat e inspektoriatit, që njihen vetëm për tregun brenda. Në tregun e jashtëm mund të shkojë me certifikatën e origjinës”, thotë ai, ndërsa gazetarët e pyesin nëse ka pasoja po të jetë e falsifikuar certifikata e origjinës.
“Nëse kjo është e falsifikuar, nuk është ISHTI që merret me pasojat e kësaj. ISHTI njofton doganat që ky mall nuk lejohet të shkarkohet. S’ka asnjë problem, ne njoftojmë doganën, nëse ky mall nuk përputhet me standardet”, vijon Spiro.
Ai saktëson se ligji e ngarkon ISHTI-n të bëjë analiza vetëm për produktin që hyn në Shqipëri, për tregun vendas. “Nëse laboratori nuk është i akredituar, duhet të bëhen të gjitha specifikimet e produktit në laborator”, përfundon ai.
“Fiks Fare” i dërgoi një kërkesë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku pyeti në lidhje me importet e naftës nga kompania “Intertek”. Doganat kthyen përgjigje se “shoqëria ‘Intertek Italia’ nuk figuron eksportues tek importet tona. Tek ne, shoqëria ‘Intertek Italia’, në bashkëpunim me shoqërinë ‘RDA 11’ operojnë si verifikues matjesh (mbikëqyrës)”. Pra, një kompani mbikëqyrjeje lëshon certifikata analizash për naftë, që është e destinuar për t’u tregtuar në Shqipëri dhe Kosovë. Pasojat dihen: automjete të shkatërruara dhe ndotje mjedisore!
I riu u vetëplagos me armë/ Policia e Kukësit zbardh ngjarje...
Ndoqën instruksionet e navigacionit, tre burra nga India udh...
Mbrëmë 40 gola në Champions, veç njëherë më parë në histori ...
A e mërziti Driloni, Sarën? – shihet duke qarë
Dhuratat për fund vit, presidenca shpall tenderin për furniz...
Hedhja e granatave në stacionin policor në Zveçan, Maqedonci...