Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë (DhSK), Michael Doyle, në një intervistë për Arbresh.info ka folur rreth vendimit të fundit të Prokurorit të Specializuar (ZPS) për largimin e dhjetë dëshmitarëve nga procesi gjyqësor kundër ish-krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas tij, në shkurt të këtij viti, prokurorisë i është kërkuar një raport në transmetimin e këtij rasti, konkretisht reduktimin e dëshmitarëve dhe hapa të tjerë drejt sigurimit që PZPS-ja të mund të shkojë sa më shpjet që është e mundur përmes listës së tyre të dëshmitarëve.
“Pra, ishte në kontekstin e atij sesioni në shkurt, që Prokuroria të dorëzojë diçka dhe pastaj në 21 maj, Prokuroria njoftoi Gjykatën se ata kanë hequr 10 dëshmitarë nga numri i tyre i mëparshëm i vlerësuar të dëshmitarëve dhe janë 13 dëshmitarë të tjerë të cilët ata paraprakisht kanë planifikuar që t’i thërrasin që të dëshmojnë live të cilët ata do të dëshironin që të dorëzonin dëshmitë e tyre me shkrim prej këtyre dëshmitarëve”, tha Doyle.
Gjykatësit sipas tij, vazhdimisht kanë inkurajuar masa në mënyrë që të gjitha palët të jenë sa më të shpejta që munden.
“Pra, edhe njëherë, ky njoftim prej Prokurorisë është në kontekstin e diskutimeve rreth thjeshtëzimit të çështjes së Prokurorisë, në fjalë të tjera, reduktimin e numrit të dëshmitarëve, ose duke përdorur rregullat që të shpejtojnë më tej, për shembull, rregulli i cili i lejon dëshmitarët që të dëshmojnë me shkrim dhe jo në person. Aty është një rregull tjetër që lejon dëshmitarët që të dorëzojnë dëshmitë e tyre me shkrim dhe të shfaqen në Gjykatë nëse ka pyetje shtesë. Kështu që janë disa lloje të masave që Gjykatësit kanë qenë duke inkurajuar gjatë procesit gjyqësor me qëllim të inkurajimit të gjitha palët që të jenë sa më të shpejtë që munden”, thekson zëdhënësi i Speciales.
Doyle, u shpreh se nuk është shpjeguar arsyen pse këta dëshmitarë janë hequr ose pse dëshmitë e disa të tjerëve kanë kaluar në formatin me shkrim.
“Gjykatësit thjesht i kanë kërkuar Prokurorisë për të shikuar mënyra për të reduktuar numrin e dëshmitarëve dhe më pas Prokuroria raportoi te gjykatësit që ata kanë hequr 10 dëshmitarë dhe ka kaluar 13 dëshmitarë në formatin me shkrim. Nuk e ka shpjeguar arsyen pse ata dëshmitarë specifikisht janë hequr ose dëshmitë e tyre kanë kaluar në formatin me shkrim. Ata thjesht janë thirrur për të shikuar për mënyra për të reduktuar madhësinë e rastit dhe më pas e njoftuan gjykatësit ata do të reduktonin numrin e dëshmitarëve, por nuk ka pasur ndonjë shpjegim pse këta dhjetë dëshmitarë”, u shpreh ai.
Zyrtari për media i Dhomave të Specializuara, tha se prokuroria ka deklaruar se ata janë duke punuar drejt atij afati të prillit 2025 por që të takojnë atë datë duhet bërë reduktime të mëtejshme dhe një ritëm të përshpejtuar.
“Ky është një vlerësim që Gjykata i ka kërkuar Prokurorisë që ta japë dhe të hënën, gjatë konferencës që është mbajtur, gjykatësit kanë pyetur sërish nëse ajo është akoma një datë në të cilën është duke u punuar dhe si janë duke planifikuar që të arrijnë këtë datë, në atë kohë Prokuroria tha se ata janë duke punuar drejt atij afati të prillit 2025 por që të takojnë atë datë duhet bërë reduktime të mëtejshme dhe një ritëm të përshpejtuar. Kjo është ajo çka ka thënë
Prokuroria në gjykatë por do të ishte e prokurorisë që të përgjigjej në pyetjen nëse ata do të takojnë atë afat kohor dhe mund të ju tregoj vetëm çka ata kanë thënë në Gjykatë më herët në këtë javë”, tha ai mes të tjerash.
Ndërkohë, ditë më parë Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se Gjykata Speciale nuk do të mbështetet në dëshminë e dhjetë dëshmitarëve.
Sipas një njoftimi, Dhomat e Specializuara do të paraqesim me shkrim deklaratat e 13 dëshmitarëve, të cilët nuk do të dëshmojnë direkt në Gjykatë.
Lista e dëshmitarëve pritet të rishqyrtohet në muajin tetor dhe pritet të hiqen dëshmitarë të tjerë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Arbresh.info/ Erolinda Gashi/
Intervista e plotë:
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...
Ismaili: Sektori financiar në Kosovë stabil dhe mirë i kapit...
“E lirë je prej meje”, a po ftohen raportet mes Gjestit dhe ...
Deponim dhe kundërmim, kriza me mbeturina në shtetet e Ballk...
Dita e ndeshjes, Kosova pret në ‘Fadil Vokrri’ Lituaninë