Google ADS

Si do të jenë marrëdhëniet Prishtinë-Oslo pas mbylljes së ambasadës norvegjeze?

08:13 | 16 Shtator 2022
L G

Të premten e 9 shtatorit, Qeveria e Norvegjisë njoftoi se do të mbyllë ambasadat në pesë shtete të botës.

Përveç Sllovakisë, Shri Lankës, Madagaskarit dhe Hjuston (ShBA), qeveria norvegjeze ka vendosur që t’ia ‘mbyllë’ derën edhe Kosovës, përmes mbylljes së ambasadës në Prishtinë.

Për mbylljen e misioneve diplomatike në Kosovë dhe vendet e tjera, Ministrja e Jashtme e Norvegjisë është shprehur se këto mbyllje do të ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë dhe do të kenë pasoja të mëdha për ta, megjithatë, ajo theksoi se mbyllja e ambasadave ishte në kuadër të interesit të vetë shtetit skandinav, andaj ishte e pashmangshme.

“Nuk është kurrë e lehtë të vendosësh të mbyllësh misionet norvegjeze. Mbylljet si këto ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë të postuar dhe kanë pasoja edhe më të mëdha për stafin e punësuar në vend. Por ne kemi një përgjegjësi për të përdorur burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, ishte shprehur Ministrja e Jashtme e Norvegjisë.

Është e ditur tashmë se Norvegjia ka qenë shtet mik i Kosovës që nga dita e parë e shtetësisë, madje, edhe në kohën kur Kosova po vuante nga agresori serb dhe kur kishte probleme në formimin e institucioneve të veta, kuptohet, në vitet e pasluftës, para pavarësisë.

Meqenëse ky shtet skandinav ka ndihmuar Kosovën në aspekte të ndryshme të shtetformimit dhe funksionimit të institucioneve të caktuara, natyrisht se do të ishte lajm i keq për Kosovën në qoftë se ‘prishen’ marrëdhëniet mes dy vendeve.

Dhe me të drejtë, pyetja që më së shpeshti është ngritur këto ditë është; a janë të njëjta marrëdhëniet mes Oslos dhe Prishtinës.

Për profesorin universitar dhe njëherësh ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ky vendim i Norvegjisë është lajm i keq për Kosovën dhe tani marrëdhëniet mes dy vendeve janë zbehur dhe më nuk janë të njëjta.

“Vendimi i Norvegjisë për ta mbyllur ambasadën në Kosovë është padyshim një lajm i keq, pavarësisht se ka të bëjë edhe me misione të tjera diplomatike.

Vendimi nënkupton zbehje të marrëdhënieve dhe kjo do të thotë se Kosova nuk paraqet interes të veçantë për Norvegjinë. Vendi ynë do të vazhdojë të mbulohet nga një ambasador jorezident, por kjo s’do të thotë se marrëdhëniet mbeten të njëjta. Pra, vendimi për ta mbyllur ambasadën reflekton degradim të marrëdhënieve dhe rënie të relevancës së vendit përkatës”, deklaroi Fetoshi për arbresh.info.

Në përgjithësi, për profesor Fetoshin, marrëdhëniet e Norvegjisë me Kosovën mund të zbehen apo të shkojnë përpara, varësisht nga interesi norvegjez, dhe për të ky vendim nënkupton që shteti norvegjez nuk e sheh Kosovën të rëndësishme po aq sa vendet tjera.

“Natyrisht që këto marrëdhënie mund të avancohen në të ardhmen, në qoftë se kjo do të ishte në interesin e Norvegjisë. Pra, derisa nuk lidhet me prishje apo ftohje të marrëdhënieve, vendimi tregon vetëm se Kosova nuk ka rëndësi të njëjtë për Norvegjinë”, deklaroi ai.

Fetoshi thekson se Prishtina zyrtare duhet të punojë me seriozitet të plotë që t’i ruajë dhe t’i avancojë marrëdhëniet me Oslon zyrtare, si aleat shumë i rëndësishëm për vendin.

“Megjithatë, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një shtet mik dhe donator në shumë projekte të rëndësishme, Kosova do të duhej të angazhohej seriozisht për mirëmbajtjen dhe avancimin sa më të madh të marrëdhënieve dypalëshe”, përfundoi Arben Fetoshi për arbresh.info.

Norvegjia ka qenë shteti i 33-të që e ka njohur Kosovën si shtet, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit, pra, më 28 mars 2008.

Gjithashtu, norvegjezët votuan pro pavarësisë së Kosovës edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2009, madje duke kundërshtuar fuqishëm pretendimet e Serbisë dhe Rusisë se kjo pavarësi ka qenë jolegjitime.

Edhe në vitet e fundit, Norvegjia gjithmonë ka kontribuar në përmirësimin e ekonomisë kosovare, përmes projekteve afatgjata dhe investimeve të shumta me interes strategjik për Kosovën.

Kështu që, nëse kjo ‘tërheqje’ e Norvegjisë nga Kosova nëpërmjet mbylljes së ambasadës reflekton edhe në prishjen e marrëdhënieve bilaterale, atëherë duhet seriozisht të fillojë shqetësimi i krerëve institucionalë për humbjen e një aleati sa të rëndësishëm aq edhe të nevojshëm për një vend të vogël në aspektin e fuqisë diplomatike dhe ekonomike siç është Kosova./Emir Abduramani/arbresh.info/

Të ngjashme