Google ADS

Si dhe pse agjërohen gjashtë ditët e muajit Sheval?

10:15 | 3 Maj 2022
S D

Muaji Sheval është muaji i cili pason menjëherë pas muajit të Ramazanit.

Hoxha Hetem Sopjani ka folur për arbresh.info për rëndësinë e agjërimit të gjashtë ditëve nga muaji Sheval, të cilat kanë vlerë dhe peshë të veçantë.

“Për këto ditë Pejgamberi (a.s) ka thënë se kush e agjëron këto gjashtë ditë të Shevalit, Allahu i lartmadhërishëm do të i’a mundësojë sikur të ketë agjëruar tërë vitin”, tha ai.

Sipas Hoxhës vlera e këtyre ditëve të muajit Sheval është shumë e madhe siç është edhe vlera e një dite të muajit të Ramazanit, ku çdo e mirë që bëhet shumëfishohet me dhjetë të mira.

“Vlera e këtyre ditëve është shumë e madhe siç është vlera e një dite të Ramazanit ku çdo e mirë e bërë në Ramazan shumëfishohet me dhjetë të mira, dhe në muajin e Ramazanit së bashku me gjashtë ditët e muajit Sheval e përmbledhin sikur të kemi agjëruar për 360 ditë, pesë ditë nuk llogariten pasi hynë ditët e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit”, tha Hoxhë Sopjani.

Por, sipas tij, këto ditë nuk janë të obliguara të agjërohen menjëherë pas përfundimit të Ramazanit.

“Muajin e Shevalit besimtarët zakonisht e presin mirë sepse dalin nga muaji i Ramazanit dhe vjen muaji i Shevalit duke ditur se është sevap të agjërohen ditët e Shevalit, mirëpo për këtë muaj besimtarët kanë kohë që të agjërojnë dhe nuk është kusht që të agjërohet menjëherë pas Ramazanit në vazhdimësi por ato ditë ne mund t’i agjërojmë një ditë po, një ditë jo, por e rëndësishme është që këto ditë të përmbyllen deri në fund të Muajit Sheval”, tha ai.

Rikujtojmë se Shevali në gjuhën arabe do të thotë ngritje apo largim, dhe mendohet se është quajtur me këtë emër për shkak se kur është emërtuar për herë të parë ka qenë koha e shtimit të deveve, apo koha e zbutjes së motit dhe largimit të nxehtësisë./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme