Shtyhet votimi rreth shtesave për fëmijë

11:17 | 2 Nëntor 2018
arbresh.info

Është shtyrë votimi i Propozim Rezolutës nga Debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Shefu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, mbështetë idenë e shtesave, por kërkon kategorizimin e tyre.

“Mbështesim idenë që t’ju ndahen shtesat, duhet të ketë një kategorizim për fëmijët që kanë nevojë, fëmijët e prindërve të papunësuar të marrin më shumë se fëmijët që kanë të hyra familjare. Duhet të shqyrtohet mundësia që buxheti në këtë kategori të kalkulohet dhe brenda tij të bëhet një riorientim. Është problematike në kontekstin e situatës sociale, një fëmijë i varfër nuk mund të marrë njejtë si një fëmijë i një milioneri,” deklaroi Krasniqi.

Shqipe Pantina, në emër të Partisë Socialdemokrate, tha se e mbështesin në parim, por duhet të sqarohet mënyra e marrjes së këtyre shtesave.

“Jemi për shtesa për fëmijët, duhet të jetë më progresive dhe duhet të sqarohet se si të zbatohet. Në parim e mbështesim, por duhet të lihet hapësirë të përshtatet,” tha deputetja Pantina.

Sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, kjo rezolutë mund të harmonizohet, por votimi thotë se duhet të përfundojë sot.

“Duhet që brenda ditës ta harmonizojmë rezolutës dhe pastaj ta hedhim në votim,” deklaroi Haradinaj.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi, shtesat e fëmijëve nuk mund të shihen si kategori sociale.

“Krijova përshtypjen se po flitet për ndihma sociale dhe jo për shtesat për fëmijë. Kategoria e shtesave për fëmijë nuk duhet të lidhet me skemën sociale,” është shprehur Sherifi.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, thotë se nga përvojat e mëhershme, shtesa për fëmijë kanë marrë vetëm të punësuarit.

“Marrja e shtesave është problematike për buxhetin e Kosovës. Në të kaluarën shtesa për fëmijë me ligj kanë marrë të punësuarit. Në të gjitha shtetet e Evropës ju takojnë njësoj me shumë të njejtë të gjithë fëmijëve të punësuarve. Nëse e nxjerrim një rezolutë qoftë me 20, apo 30 mendoj se do të ketë vështirësi tek ekzekutimi i kësaj çështjeje,” deklaroi Haliti.

Deputetët u dakorduan që të harmonizojnë rezolutën gjatë ditës, për ta hedhur më vonë, gjatë ditës, në votim.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme