Shtyhet votimi për zgjedhjen e rektorit të UPZ-së

09:45 | 10 Maj 2019
Arbresh.info

Anëtarët e Këshillit Drejtues të universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren të mërkurën nuk kanë votuar për zgjedhjen e rektorit të ri të këtij institucioni të arsimit të lartë. Në fakt, mbledhja e KD-së e planifikuar për ditën e mërkurë nuk është mbajtur fare. Takimi i këtij organi që ishte thirrur për në orën 13:00 është anuluar paraprakisht pasi që, sipas zyrtarëve përgjegjës, anëtarë të caktuar të KD-së ndodhen në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Kryesuesi i KD të UPZ-së, Bedri Muhadri, ka konfirmuar shtyrjen e mbledhjes së këtij organi, duke shtuar se ky takim në të cilin pritet që të votohet për zgjedhjen e rektorit të ri do të mbahet në fillim të javës së ardhshme, shkruan sot Koha Ditore.

Ditë më parë ai pati bërë të ditur se KD, të hënën, ka intervistuar kandidatët për rektor Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.

Një ditë para shtyrjes së dytë të votimit për rektor të ri të UPZ-së, Parlamenti Studentor i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka shprehur qëndrimin se partitë politike po ndikojnë drejtpërdrejt në konkursin për zgjedhjen e rektorit të këtij universiteti.

E për këtë gjë më së miri flet kjo foto (e publikuar në rrjete sociale v.j.), e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për rektor, ku shihen u.d. rektori i tanishëm prof. Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllanë e kryetarit të Partisë Nisma, e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e rektorit”, thuhej në reagimin e PS të UPZ-së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme