Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është shtyrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Nasim Haradinajt pas konfirmimit të dënimit të tij me katër vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë në të tri shkallët e kësaj gjykate.
Sipas njoftimit të DhSK-së, kjo shtyrje e vendimit në këtë çështje është bërë për shkak të parashtrimeve shtesë të palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më 11 janar, Paneli i Gjykatës Kushtetuese i ngarkuar me referimin e Haradinajt, i dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar, vendosi të shtyjë vendimin e tij në këtë çështje derisa të pranojë parashtrimet shtesë nga palët, përkatësisht parashtrimin e ZPS-së lidhur me referimin si dhe përgjigjen e saj ndaj kërkesës më të fundit të Haradinajt për pranimin e një prove të re. Gjithashtu, mbrojtja ftohet që të dorëzojë përgjigjen e saj ndaj përgjigjes së ZPS-së, nëse dëshiron ta bëjë këtë”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Më 18 maj 2022, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u shpallën fajtorë Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, lidhur me veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim, ku iu llogaritej koha e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.
Pas ankesës në Apel, Kolegji i Gjykatës së Apelit nxori aktgjykim lidhur me ankesën e dy të dënuarve nga shkalla e parë, ku u konfirmuan shumica e veprave për të cilat ishin dënuar. Por, dënimi u zbrit në 4 vite e tre muaj dhe iu konfirmua dënimi me 100 euro gjobë.
Ndërsa, pas ankesës në Supreme të DhSK-së, më 18 shtator 2023, Kolegji i kësaj gjykate refuzoi në tërësi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke konstatuar se nuk ka pasur shkelje thelbësore e procedurave të përcaktuara në Ligj dhe në Rregulloren e Procedurës dhe Provave.
Sipas vendimit të fundit të kryetares së DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, më 21 nëntor 2023, Nasim Haradinaj kishte dorëzuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese të DhSK-së, ku edhe u mor vendimi për caktimin e trupit gjykues për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Gjatë vitit 2023, Trendafilova ka marrë vendim për modifikim të dënimit ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. Lirimi i Gucatit u bë më 18 tetor, ndërsa i Haradinajt më 14 dhjetor 2023.
Ndryshe, Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...